Njohësi i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer ka thënë se i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak kanë dështuar ta bëjnë normalizimin politik në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në platformën “Peacefare”, profesori amerikan ka thënë se Escobari dhe Lajçaku filluan keq e përfunduan edhe më keq.
“Escobar dhe Lajçak nisën keq dhe përfunduan më keq. Ata i premtuan Beogradit se do të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar”, ka deklaruar Serwer.
Sipas Serwerit, normalizimi politik në mes të dy vendeve tani për tani është një urë shumë e largët.
“Është e qartë se politika perëndimore ndaj Serbisë nuk po funksionon. Washingtoni dhe Brukseli nuk po bëjnë shumë më mirë me Kosovën. Kosova ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe qortimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në natyrë. Vuçiq nuk është në gjendje ta bëjë këtë”, ka theksuar Serwer.
Lajçaku pritet të vazhdojë si ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar Escobari për pak javë do të marrë detyrë të re.