Profesori nga SHBA, Daniel Serwer, ka reaguar pas deklarimit të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili ka thënë se aktualisht Serbia është më afër NATO-s se Kosova.
Serwer ka bërë thirrje për një qasje më të qartë nga SHBA në mbështetje të aleatëve të saj në Ballkan, në kontekstin e një lidhjeje të pandryshuar të Serbisë me Rusinë.
“Ambasadori amerikan vlerëson bashkëpunimin ndërmjet SHBA-së dhe forcave serbe, edhe pse presidenti serb ka deklaruar qartazi ambiciet e tij për aneksimin e mundshëm të Kosovës. Si mund të rekoncilohen këto qëndrime? Nuk është e ndërlikuar. Serbia e shfrytëzon bashkëpunimin për të përfituar nga stërvitjet dhe të mësuarit e inteligjencës, që më pas mund t’i përdorë kundër interesave të NATO-s në rajon, dhe me siguri ia raporton gjetjet Moskës”, pohon ai.
Serwer pohon se SHBA-ja duhet të rishikojë qasjen e saj ndaj Serbisë dhe të sfidojë aspiratat e saj, si dhe të atyre ruse, për ekspansion etno-territorial.
“Është koha të ndalemi nga mbështetja e Beogradit që ka treguar vazhdimisht se është i lidhur me Rusinë. Vuçiq ka treguar që nuk do të hezitojë të vepron kundër Kosovës në momentin që i përshtatet,” thekson profesori amerikan.
Serwer sugjeron disa hapa konkret që SHBA-ja duhet të marrë, duke filluar nga theksimi i nevojës për drejtësi në rastin e incidenteve të sponsorizuara nga Beogradi në territorin e Kosovës, mbështetja e Prishtinës në objektivat e saj ndërkombëtare, dhe një qëndrim i fortë kundër manipulimeve të mundshme në zgjedhjet serbe.
Ndërsa politikanë dhe analistë në Beograd kanë komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan Christopher Hill.
Ata thonë se Serbia po zhvillon partneritet me NATO-n, por se presidenti serb Vuçiq është zotuar se Serbia nuk do të jetë anëtare e asnjë aleance ushtarake.
“Serbia sot është shumë më afër aleancës së NATO-s sesa Kosova, sepse ne punojmë me ushtrinë serbe çdo ditë, kemi pasur stërvitje, kemi pasur stërvitje dhe një sërë gjërash të tjera”, tha ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.