Lajmet

Serwer për REL: Dialogu strategjik mes Serbisë dhe SHBA-së e ndihmon Vuçiqin

15.07.2026 02:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Serwer për REL: Dialogu strategjik mes Serbisë dhe SHBA-së e ndihmon Vuçiqin

Shtetet e Bashkuara po e bëjnë një përpjekje të re për ta afruar Serbinë me synimet e tyre strategjike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, duke komentuar paralajmërimin për nisjen e dialogut strategjik mes dy vendeve.

Sipas ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, Uashingtoni dhe Beogradi do ta nisin dialogun strategjik më 17 korrik.

Gjuriq e ka cilësuar këtë zhvillim si “historik” në aspektin diplomatik dhe politik për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ai ka thënë gjithashtu se statusi i partnerit strategjik me SHBA-në është i rëndësishëm edhe për çështjet kryesore shtetërore dhe kombëtare, ku ka përfshirë Kosovën, Republikën Sërpska dhe ruajtjen e stabilitetit të brendshëm të Serbisë.

Nisja e dialogut, të cilin SHBA-ja e zhvillon me dhjetëra vende për ta thelluar bashkëpunimin, ishte paralajmëruar qysh në gusht të vitit 2025.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Departamenti amerikan i Shtetit nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se cilat tema do të diskutohen në takimin e parë dhe çfarë pret Uashingtoni nga Serbia në kuadër të dialogut strategjik.

Bisedimet e nivelit të lartë, të zhvilluara në Uashington ose në vendin partner, zakonisht përfshijnë një gamë të gjerë temash, si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjetika dhe ekonomia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se energjetika do të zërë një vend të rëndësishëm në dialog.

Nga Parisi, ku po merr pjesë në ceremonitë për Ditën e Bastijës, ai ka thënë se dialogu që nis më 17 korrik do të përfshijë “çështje të rëndësishme, të cilat nuk do të jenë gjithmonë të lehta dhe të thjeshta për Serbinë”.

Vuçiq ka vlerësuar se tarifat e reja amerikane ndaj vendeve që importojnë naftë dhe gaz nga Rusia nuk janë lajm i mirë për Serbinë, e cila importon gaz rus.

Ai shpreson se nisja e dialogut strategjik do t’i japë Serbisë mundësinë që ta zgjidhë këtë çështje me Shtetet e Bashkuara në një mënyrë tjetër dhe të kërkojë mirëkuptimin e palës amerikane.

Partneriteti strategjik me SHBA-në përbën një avancim deklarativ të marrëdhënieve, thotë profesori amerikan Daniel Serwer, por shton se rëndësia e tij e vërtetë varet nga rrethanat.

Serwer vlerëson se “stabiliteti” është interesi strategjik i SHBA-së në raport me Serbinë, ndonëse, sipas tij, ky nuk duhet të jetë prioriteti kryesor.

“Do të dëshiroja të shihja përpjekje të mirëfillta për ta mbështetur rikthimin e demokracisë dhe për t’i kufizuar përpjekjet e Beogradit që, përmes konceptit të ‘botës serbe’, të ushtrojë ndikim në Bosnje dhe Kosovë”, thotë ai.

Beogradi ka arsye për “entuziazëm”
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë për Serbinë nisja e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara?

Serwer: Kjo do të thotë se SHBA-ja po bën përpjekje të re, pas një sërë përpjekjesh të pasuksesshme gjatë administratës së Joe Bidenit, për ta afruar Serbinë me synimet e saj strategjike.

Radio Evropa e Lirë: A ka arsye Beogradi të jetë entuziast për nisjen e këtij dialogu strategjik?

Serwer: Po. Kjo do ta ndihmojë presidentin Vuçiq të sigurohet që Uashingtoni të mos ndërmarrë hapa kundër tij dhe të mos i mbështesë kundërshtarët e tij politikë në zgjedhjet e ardhshme.

Po ashtu, mund të ndihmojë që SHBA-ja të mos e kundërshtojë përpjekjen e tij për të kaluar nga posti i presidentit në atë të kryeministrit.

Nuk është e përshtatshme që një dialog strategjik të paralajmërohet ose të zhvillohet në prag të zgjedhjeve.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndikojnë në këtë proces marrëdhëniet e Serbisë me Kinën dhe Rusinë?

Serwer: Administrata e Trumpit nuk ka bërë shumë për ta kufizuar ndikimin e Kinës ose të Rusisë në Ballkan, përveç sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, dhe këmbënguljes që Gazpromi të largohet nga pronësia e kompanisë. Kjo është një gjë e mirë.

Stabiliteti është interesi strategjik i SHBA-së në Serbi
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara në raport me Serbinë?

Serwer: Stabiliteti, stabiliteti, stabiliteti. Ky nuk do të ishte prioriteti im, por Uashingtoni, me sa duket, vazhdon t’i përmbahet fuqishëm kësaj qasjeje.

Një stabilitet i tillë nënkupton mbajtjen në pushtet të një regjimi gjithnjë e më autoritar.

Do të dëshiroja të shihja përpjekje të mirëfillta për ta mbështetur rikthimin e demokracisë dhe për t’i kufizuar përpjekjet e Beogradit që, përmes konceptit të “botës serbe”, të ushtrojë ndikim në Bosnje dhe Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë në praktikë të jesh partner strategjik i Shteteve të Bashkuara?

Serwer: Ky është një avancim deklarativ i marrëdhënieve, por rëndësia e tij e vërtetë varet nga rrethanat. Uashingtoni sot ndjek një politikë të bazuar në interesa dhe në shkëmbimin e koncesioneve. Nëse merr atë që dëshiron, para së gjithash në lidhje me NIS-in, ka të ngjarë të ofrojë diçka në këmbim.

Serbia ka një histori të gjatë të bërjes së koncesioneve të kufizuara ndaj Uashingtonit dhe do të përpiqet ta bëjë këtë përsëri.

Radio Evropa e Lirë: Si partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, a mund të presë Beogradi mbështetje më të madhe për mbrojtjen e interesave të tij lidhur me Kosovën dhe Republikën Sërpska?

Serwer: Po. Sa i përket Republikës Sërpska, Uashingtoni tashmë ka bërë koncesione të mëdha duke ia hequr sanksionet [Millorad] Dodikut.

Në Kosovë, Beogradi ka mundësi të vazhdojë t’i shmanget përgjegjësisë për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës, incidentet kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmin terrorist në Banjskë.

Nuk do të befasohesha nëse Uashingtoni do të fillonte përsëri të këmbëngulte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që për Kosovën është e mundur vetëm nëse Serbia e njeh atë. Asociacioni është pengesë për dialogun.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi”, Haziri i përgjigjet Kurtit

“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi”, Haziri i përgjigjet Kurtit

Haradinaj paralajmëron protesta e bllokada: Do të jenë përgjigjja ndaj Kurtit

Haradinaj paralajmëron protesta e bllokada: Do të jenë përgjigjja ndaj Kurtit

Arrestohet gjyqtari i Themelores, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Arrestohet gjyqtari i Themelores, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Kurti i përgjigjet Abdixhikut: E ndoqa qëndrimin e mikut tim – nuk është pak ta marrësh Kryetarin e Kuvendit

Kurti i përgjigjet Abdixhikut: E ndoqa qëndrimin e mikut tim – nuk është pak ta marrësh Kryetarin e Kuvendit

Arrestohet personi që kërcënoi ish-presidenten Vjosa Osmani me “vdekje” e “plumb”

Arrestohet personi që kërcënoi ish-presidenten Vjosa Osmani me “vdekje” e “plumb”

Hamza: Kurti, Haxhiu dhe Dehari qëllimisht shkelën Kushtetutën

Hamza: Kurti, Haxhiu dhe Dehari qëllimisht shkelën Kushtetutën

AKB: Kur mungon dialogu politik, demokracia kthehet në përplasje – Kosova nuk mund të qeveriset me dhunë

AKB: Kur mungon dialogu politik, demokracia kthehet në përplasje – Kosova nuk mund të qeveriset me dhunë

A mund të bëhet Shqipëria një shtet më i madh sipas Marko Rubios?

A mund të bëhet Shqipëria një shtet më i madh sipas Marko Rubios?

SHBA dhe BE me qasje të ndryshme në Ballkan, Kosova në fokusin e zhvillimeve të reja

SHBA dhe BE me qasje të ndryshme në Ballkan, Kosova në fokusin e zhvillimeve të reja

“Kurti pas 6 shtatorit mund të bëjë diçka që Kosova s’ka parë me sy” 13 gusht 2026| 23:46

“Kurti pas 6 shtatorit mund të bëjë diçka që Kosova s’ka parë me sy” 13 gusht 2026| 23:46

Pozicioni i ri i LDK, Mustafa i drejtohet VV-së: Thirreni seancën, themeloni Kuvendin e Qeverinë, Presidenti i të gjithëve

Pozicioni i ri i LDK, Mustafa i drejtohet VV-së: Thirreni seancën, themeloni Kuvendin e Qeverinë, Presidenti i të gjithëve

Ardian Gjini e përshëndet qëndrimin e ri të LDK: Kurti bën lojë të pandershme, synon kontroll mbi shtetin

Ardian Gjini e përshëndet qëndrimin e ri të LDK: Kurti bën lojë të pandershme, synon kontroll mbi shtetin

I dyshuari për spiunazh ishte shkarkuar më 2024 nga një këshill pranë Presidencës

I dyshuari për spiunazh ishte shkarkuar më 2024 nga një këshill pranë Presidencës

‘Ka dhënë informata për Serbinë’, Bekë Berisha i ka disa fjalë për Skender Llugiqin (VIDEO)

‘Ka dhënë informata për Serbinë’, Bekë Berisha i ka disa fjalë për Skender Llugiqin (VIDEO)

Vendimi i LDK-së: Osmani: Të evitohen zgjedhjet, vendi të bëhet me president që mbron Kushtetutën

Vendimi i LDK-së: Osmani: Të evitohen zgjedhjet, vendi të bëhet me president që mbron Kushtetutën

‘Devijimi i Ibrit’, zbulohet Vuçiq: Javën e ardhshme formohet grupi punues për ndërtimin e hidrocentralit në Ribariq

‘Devijimi i Ibrit’, zbulohet Vuçiq: Javën e ardhshme formohet grupi punues për ndërtimin e hidrocentralit në Ribariq