Dy rinovime të rëndësishme për repartin e tërhequr të Realit të Madridit. Sergio Ramos dhe Pepe do hedhin të zezën mbi të bardhë për t’u dhënë fund zërave spekulativë të javëve të fundit. Mbrojtësi spanjoll që u shënjestrua për disa javë rresht nga Manchester United, vendosi të qëndrojë deri në vitin 2020 në “Santiago Bernabeu”. Pas takimit kokë më kokë që Sergio Ramos zhvilloi në Kinë me presidentin Florentino Perez, hijet e dyshimit u larguan dhe palët gjetën menjëherë gjuhën e përbashkët duke u ulur në një tryezë bisedimesh. Firma në kontratë do të hidhet ditën e hënë, por detajet e kontratës së re nuk janë bërë publike nga klubi. Sergio Ramos u bashkua me Realin e Madridit në vitin 2004 dhe me këtë skuadër ai ka fituar 3 tituj kampionë, 1 UEFA Champions League, 1 Botëror Klubesh, 1 Superkupë Europiane dhe 2 Superkupa të Spanjës.
Me largimin e Iker Casillas nga skuadra është pikërisht Ramos do të mbajë shiritin e kapitenit. Ishte pikërisht lamtumira e Casillas që alarmoi tifozët madrilenë, të cilët i kërkuan presidentit Perez të siguronte sa më shpejt të ardhmen e mbrojtësit që fillimisht la të hapur mudnësinë e transferimit në “Old Trafford”. Një punë të madhe në këtë drejtim bëri edhe trajneri Rafael Benitez, i cili kërkoi qëndrimin e lojtarit me çdo kusht në Madrid. Po në linjën mbrojtëse, portugezi Pepe do të hedhë firmën për zgjatjen e kontratës edhe me një vit deri në 2017-ën. Lajmin e bën të ditur gazeta “AS” që shton se me qëndrimin e luzitanit dhe spanjollit, mbrojtja “Los Blancos” është e kompletuar pasi përkrah tyre do të rreshtohen titullarë edhe Varane e Nacho./ss/