Serbia vendos radar në territorin e Kosovës, ky është okupim

E publikuar: 10/12/2015 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vënia e radarit ushtarak nga Serbia në vijën kufitare të Kosovës, përkatësisht në maje të Pançiqit, në veri të vendit, paraqet shqetësim për njohës të çështjeve të sigurisë dhe përfaqësues të partive opozitare.

Sipas gjeoportalit të Kosovës, ky radar është vendosur mu në vijën kufitare të Kosovës me Serbinë. Ndersa sipas një gjeoportali serbe, radari është vendosur brenda territorit serb.

Vendosja e këtij radari ka shfaqur një mospërputhje në mes së gjeoportalit të Kosovës dhe atij të Serbisë, gjë që sipas këtyre hartave Kosova do të humb rreth 380 hektare tokë, vetëm në këtë pjesë të vendit.

Por pavarësisht kësaj, njohës të sigurisë në vend dhe përfaqësues të partive politike opozitare thonë se kjo çështje paraqet rrezik për vendin dhe duhet trajtuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Madje, përfaqësuesit e partive opozitare thonë se pushteti është fokusuar më shumë në përndjekjen e opozitarëve se sa në ruajtjen e territorit të Kosovës, karshi Serbisë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se vendosja e një radari ushtarak në kufi, është i panevojshme, dhe sipas tij institucionet e Kosovës duhet ndërmarra masa në këtë drejtim.

“Më së pari radari nuk ka nevojë që të vendoset aq afër, kurse në qoftë se është ndonjë antene përgjuese është diçka tjetër, por radari nuk ka nevojë që të vendoset bash në pikë kufitare edhe mund të vendoset shumë brenda sepse radarët që ata i përdorin kanë rreze shumë të madhe”, thotë Kajtazi, percjell Bota Sot. /albeu.com/