ITU-ja pritet t’ia ndajë Serbisë kodin telefonik 383, të cilin pastaj Serbia ia jep Kosovës, ka mësuar KTV-ja nga burime të afërta me procesin brenda ITU-së.
Kjo për faktin se Kosova nuk është anëtare e kësaj organizate, por zyrtarisht ITU-ja do ta publikojë vetëm tekstin siç janë marrë vesh palët në Bruksel. Informacioni nuk është mohuar e as pohuar nga ITU-ja.
“ITU-ja është duke punuar në këtë çështje dhe ne do ta bëjmë një njoftim në momentin që kodi telefonik për Kosovën është finalizuar. Kur kodi të jetë ndarë nga Byroja për Standardizim e ITU-së, atëherë do të publikohet në Buletinin Operacional, ashtu siç bëhet çdo 1 dhe 16 të secilit muaj”, ka thënë shef i Zyrës për Media në ITU, Sanjay Acharya.
Ministrja për dialog, Edita Tahiri, ndërkaq ka thënë për televizionin se mosanëtarësimi i Kosovës në ITU nuk paraqet problem.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se i ka shkruar BE-së për të shprehur shqetësimin për moszbatim të marrëveshjes për telekom.