Mes masave të forta të sigurisë, përfaqësuesja serbe do të mbërrijë në Shqipëri pasditen e së enjtes, më 7 Tetor. Pas planeve të bashkërenduara ndërmjet agjencive policore dhe shtetërore shqiptare dhe palës serbe, zbardhet itenerari i rivalëve të radhës të Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2016. Udhëtimi nga Beogradi i delegacionit serb, i përbërë nga futbollistët, stafi teknik, zyrtarët e federatës dhe gazetarët do mbërrijë në Tiranë ditën përpara sfidës, rreth orës 18:00.
Autostrada që lidh aeroportin Nënë Tereza me kryeqytetin do të jetë e gjitha e bllokuar, rruga e kontrolluar dhe autobusët që transportojnë serbët do të shoqërohen me eskortë në hotelin “Sheraton”. Skuadra e drejtuar nga Radovan Curcic do të kalojë natën mes të enjtes dhe të premtes në Tiranë. Ekipi kundërshtar zgjodhi të qendrojë në hotel deri në momentet përpara sfidës së 8 Tetorit. Serbët do të drekojnë dhe do të pushojnë në Tiranë, ndërsa dy orë përpara ndeshjes do të paraqiten në Elbasan Arena.
Pikërisht udhëtimi nga Tirana drejt Elbasanit cilësohet edhe si pjesa më e rëndësishme e qendrimit në Shqipëri. Zv.presidenti i Federatës Serbe, Goran Milanovic, bëri të ditur se skuadra do të udhëtojë me autobusë dhe e shoqëruar nga 350 policë. Numri kaq i lart i efektivëve në dispozicion që do të blindojnë rrugën afro 50 kilometra lidhet me shqetësimin e serbëve se në disa segmente rruga kalon në zona rurale. Gjatë gjithë kohës, ekipi serb do të shoqërohet nga guzhinieri Velimir Simanic. Njeriu që kujdeset për dietën dhe menunë ushqimore të lojtarëve mohoi spekulimet e mediave të Beogradit për frikë nga helmimi i ushqimit. Sipas guzhinierit skuadra nuk do të transportojë ushqime dhe ujë me vete, ndërsa prezenca e tij është thjesht çështje proceduriale, pasi ka qenë me ekipin edhe në trasfertat në Portugali dhe Armeni.