Serbia i refuzoi 28 mijë ushtarë, NATO i futi 55 mijë në Kosovë, më 1999

E publikuar: 25/02/2026 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit serbë në bisedimet e Rambujesë ishin shokuar nga propozimet që kishin marrë prej Grupit të Kontaktit për ndaljen e luftës në Kosovë dhe zgjidhjen e situatën këtu, më 22 shkurt të vitit 1999.

Atyre u ishte thënë që nëse e pranojnë marrëveshjen, në Kosovë pritet të futen vetëm 28 mijë ushtarë të NATO-s.

Në fakt, kishte njëfarë besimi minimal te organizatorët e konferencës se edhe Beogradi mund të thotë po, pasi e kishin krijuar një bindje se shqiptarët, megjithatë, nuk do ta refuzojnë akordin.

Por, Serbia, nëpërmjet presidentit të saj Milan Milutinoviq, refuzoi të pajtohej. Qëndrimin e vetë e beri të ditur një ditë pasi përfundoi faza e parë e konferencës në Rambuje.

Në qendër të kundërshtimeve serbe ndaj kornizës së Grupit të Kontaktit ishte vendosja e trupave të NATO-s në Kosovë për të zbatuar armëpushimin – dhe nëse ato do të shoqëroheshin edhe nga një forcë ruse.

Milutinoviq pretendoi se rebelët separatistë, siç i quante ai përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, do ta përdornin NATO-n si mburojë dhe pas saj do të zhvillonin plane për pavarësi të plotë.

“Ju sapo cituat zonjën Olbrajt dhe ky është mendimi i saj, por mendimi ynë është se nëse kemi një marrëveshje shumë të mirë, të pranuar nga të gjithë njerëzit atje, nga të gjitha komunitetet kombëtare, atëherë hapësira për lëvizjen separatiste dhe terroristët do të ishte shumë e kufizuar, prandaj nuk kemi nevojë për trupa. Ata kërkojnë 28 mijë ushtarë dhe në të njëjtën kohë duan që ne të largohemi”, deklaroi ai në një konferencë shtypi, më 24 shkurt.

Ai tha që Serbia nuk i largon trupat e veta nga Kosova, me asnjë kusht.

“Ne nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë, jemi një vend sovran dhe mund ta bëjmë vetë, por kjo nuk është çështja. Ndoshta pikërisht për shkak të asaj pjese të marrëveshjes që flet vetëm për trupa, trupa dhe vetëm trupa, nuk arritëm marrëveshje, sepse kjo është teza e lëvizjes separatiste, e cila dëshiron NATO-n atje për t’u mbrojtur nga ne apo për të arritur pavarësinë. Është një lojë shumë e ndërlikuar, shtoi ai

Edhe kryesuesi i delegacionit serb, Ratko Markoviq refuzoi ofertën teksa u ankua se 20 orë para afatit të dytë për t’u deklaruar nëse pranohet propozimi, Grupi i Kontaktit paraqiti një dokument të ri me propozime të reja, të cilat, sipas tij, nuk ishin përfshirë në kornizën fillestare.

“Dua të theksoj një anomali në konferencë. Dje në orën 19 morëm tre kapituj të dokumentit përfundimtar, shumë të rëndësishëm, që flasin për vetëqeverisjen në Kosovë, dhe i morëm vetëm 20 orë para përfundimit të afatit. Natyrisht që nuk i morëm parasysh ato dokumente, këta kapituj të marrëveshjes, pjesërisht sepse nuk ishin në kornizën fillestare të miratuar nga Grupi i Kontaktit, dhe sepse përfaqësonin një shkelje të madhe të sovranitetit shtetëror”, tha ai

Përfaqësuesit e Serbisë dhe ata të Kosovës ishin takuar edhe njëherë, më vonë, në Francë, në mars, por as atëherë nuk pati një pajtim të të dyjave palëve për propozimin e Grupit të Kontaktit. Kosova e pranoi e Serbia e refuzoi. Për pasojë, ajo iu nënshtrua një fushate të sulmeve ajrore nga NATO, që zgjati 78 ditë, kur Sllobodan Millosheviq kapitulloi, më 9 qershor.

Tri ditë më pas, Aleanca Veriatlantike futi në Kosovë trupat e veta. Shifra e tyre nuk u ndal në vetëm 28 mijë, siç ishte kërkuar në Rambuje por hipi në 55 mijë.