Autoriteti rus për mbikëqyrjen e importit të produkteve bujqësore “Roselkonadzor” ka shprehur brengosjen për shkak të eksportit dukshëm të shtuar të mollëve nga Serbia dhe ka propozuar që lidhur me këtë çështje të zhvillohen konsultime.
“Gjatë analizës së sasive të produkteve që vijnë në Rusi nga Serbia, është konstatuar rritje e dukshme e sasisë së mollëve. Për këtë arsye, Roselkonadzor kërkoi nga autoritetet përkatëse serbe që të bëjnë konsultime dhe të japin informatë për prodhimin e mollëve në Serbi dhe reeksportin e mollëve në vende të treta”, publikoi në ueb-faqen e vet ky institucion.
Në janar të këtij viti, Roselkonadzor kumtoi se dyshon se Serbia është e involvuar në tregti ilegale të mollëve, dardhave dhe perimeve, transmetoi agjencia ruse Tas s.
Agjencia përkujton se Serbia, si aleate e vjetër e Rusisë, nuk u gjend në listën e vendeve për të cilat Moska në gusht të vitit të kaluar vendosi embargo për eksport në Rusi, si përgjigje ndaj sanksioneve të BE-së për shkak të Ukrainës.
Që atëherë, eksporti i mollëve nga Serbia në Rusi është rritur për 48 për qind, në 118.000 tonë, ndërsa vlera e tij është rritur për 82 për qind, në 98 milionë dollarë, ka njoftuar shërbimi federal doganor rus. /KosovaPress/