Serbia dominon tregtinë në “Ballkanin e Hapur”

E publikuar: 26/12/2021 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lehtësimi në proceduarat e importeve dhe eksporteve, lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim, tregu i përbashkët për 12 milionë banorët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, heqja e kontrolleve në pikat kufitare apo bashkëpunimi në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore janë disa prej marrëveshjeve të firmosura në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Ndër të tjerash, pas takimeve, mes tre vendeve u nënshkrua marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, në këmbimet tregtare midis tre vendeve po dominon Serbia si ekonomi më e madhe, me më shumë banorë por edhe me një strukturë industriale solide të trashëguar nga ish shteti jugosllav dhe me më shumë fabrika të avancuara në përpunimin e pemë-perimeve apo prodhimin e ushqimit, me avantazh në teknologjinë informatike, e kështu me radhë. Maqedonia e Veriut ka një eksport prej 223 milionë euro në Serbi dhe import prej Serbie prej 558 milionë euro në vitin 2020, që nënkupton se Serbia shet tre herë më shumë mallra dhe prodhime në Maqedoni sesa anasjelltas, tregojnë të dhënat e Entit për Statistika.

Maqedonia në Serbi hekur dhe çelik, prodhime të hekurit, prodhime farmaceutike, plehra mineral, plastmase, pemë dhe perime etj. Nga Serbia importojnë makineri dhe pajisje elektrike, hekur dhe çelik, makineri, dhe prodhime të shumta të industrisë ushqimore përfshi edhe grurë dhe miell. Këmbimi tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë mbetet modest, ndërsa për dallim prej Kosovës që është ndër partnerët kryesor tregtar të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria nuk renditet as ndër dhjetë shtetet me të cilat kemi këmbim më të madh tregtar. Kjo për rrjedhojë të vonesave në ndërtimin e korridorit modern si autostradë në korridorin tetë, dhe orientimit të Shqipërisë që të ketë tregti me partnerët e vjetër tradicional si Italia dhe Greqia, si dhe ato të reja si Kosova, Turqia, Gjermania, Franca, Kina, Spanja, dhe mos krijimit të kushteve infrastrukturore që të dyja vendet të avancojnë tregtinë e ndërsjellë.

Në vitin 2017, eksporti i Maqedonisë së Veriut në Shqipëri ishte i vlefshëm afër 74 milionë dollarë, për tu rritur në vitin 2020 në mbi 100 milionë dollarë. Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut me Shqipërinë ka shënuar eksport prej 11.655 milionë lekë, dhe import prej 12.063 milionë lekë. Pra, shkëmbimet tregtare midis dy shteteve janë të përafërta në eksport dhe import. Nga viti 2017 deri në vitin 2020 është rritur eksporti i Maqedonisë së Veriut drejt Shqipërisë nga 8.431 milionë lekë (70.258.333 euro) në 11.655 milionë lekë (97.125.000 euro).

Në eksportin e Maqedonisë së Veriut drejt Shqipërisë dominojnë ushqimet, lëndët plastike dhe materiale plastiket, vajrat bimore dhe të kafshëve, xehet e ndryshme etj. Bile një nga eksportuesit e shquar nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri është edhe kompania KONTIHIDROPLAST apo Fabrika e tubave nga Gjevgjelia. Nga Shqipëria importojmë përskaj pemë-perimeve edhe më shumë prodhime nga sektori i ndërtimtarisë si çimento, nikel dhe hekur, shufra hekuri, alumin etj. Njëherësh analizat tregojnë se këmbimi tregtar midis Serbisë dhe Shqipërisë është rritur 70 për qind nga viti 2016 deri në vitin 2020, ndërsa në Shqipëri po punojnë mbi 1000 firma nga Serbia së bashku me partnerët nga Shqipëria. Vlera e eksportit serb në Shqipëri ishte 156.2 milionë euro, përderisa Shqipëria ka eksportuar gati katër herë më pak mallra në Serbi apo ka eksportuar një vlerë prej 45,3 milionë euro në vitin e kaluar. Përgjatë 2020-ës, prodhimet më të rëndësishme që janë shitur nga Serbia në Shqipëri kanë qenë mbetjet e hekurit dhe çelikut, misri, pijet jo alkoolike, energjia elektrike dhe gruri. Në eksportet shqiptare drejt Serbisë prodhimet më të rëndësishme janë domatet, trangujt dhe specat e freskëta, çimentoja dhe çeliku i betonit.

Nga ana tjetër, ideja për qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit deri tani ka pasur lëvdata nga bashkësia ndërkombëtare, si dhe kritika nga opozita në Maqedoninë e Veriut, Shqipëria dhe Serbia si dhe nga shtetet e rajonit.

Nismëtarët e “Mini-Shengenit”, disa herë kanë theksuar se nisma është e hapur edhe për shtetet e tjera të gjashtëshes ballkanase, Kosovën Mali e zi dhe Bosnje e Hercegovinën, mirëpo këto shtete aktualisht nuk ndajnë entuziazmin Shkupit, Tiranës dhe Beogradit. Në Maqedoninë e Veriut jo të gjithë shoqatat e biznesit e kanë pritur me përzemërsi të madhe këtë nismë. Kohë më parë nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kanë theksuar se “Mini Shengeni” duhet t’i përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, por duke pasur kujdes që të mos i dëmtojë ekonomitë e shteteve. Para disa muaj ish kryetarja e Lidhjes së Odave dhe aktualisht kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska ka reaguar edhe në rrjetet sociale për “Mini Shengenin”. “Aq nga Evropa. Maqedonia ngeci në Geton e Mikro Ballkanit Shengen dhe fitoi datë për hyrje në Vranjë”, theksoi Arsovska. Në ndërkohë, Oda ekonomike e Maqedonisë ka mirëpritur një nismë të tillë.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve nga tre vendet, duke filluar nga 1 janari, 2023, një nismë kjo që këtë verë e ndryshoi zyrtarisht emrin në “Ballkani i hapur” nga referenca e njohur “Mini-Shengeni Ballkanik”./ koha.mk