Ministri serb i Drejtësisë, Nikola Selakoviq, ka deklaruar se kjo ministri do të bëjë çdo gjë, në kuadër të mundësive të saj, që bashkësisë ndërkombëtare dhe Brukselit t’ia tërheqë vëmendjen në ”rastin skandaloz të Oliver Ivanoviqit dhe do të kërkojë që ai të mbrohet në liri”.
“Nëse sillet kështu Këshilli gjyqësor dhe ata që e gjykojnë në procesin gjyqësor, ç’aktgjykim mund të presim nëse janë dhjetëra dëshmitarë të cilët nuk e ngarkojnë më atë që ai akuzohet, e atij nuk i lejohet të mbrohet në liri me të gjitha garancitë që i ka dhënë shteti serb? Kjo dikujt mund t’i ngjajë në proces të Kafkës”, ka thënë Selakoviq për televizionin Pink, transmeton Koha.net.
Selakoviq ka përsëritur se është skandaloze që Ivanoviqit iu zgjat paraburgimi.
Ai ka theksuar se Këshilli gjyqësor në mënyrë absolute po injoron garancitë e Qeverisë së Serbisë se Ivanoviq do të paraqitet në çdo proces dhe se nuk do të ndikojë te dëshmitarët.
Oliver Ivanoviqit, me akuzën e EULEX-it për krime lufte ndaj shqiptarëve, i është zgajtur paraburgimi edhe për dy muaj.