Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shpreson se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të vendosë në favor të Shqipërisë. CAS-i më 17 prill pritet të shqyrtojë ankesat e Shqipërisë dhe Serbisë në vendimet e UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë në mes këtyre dy përfaqësueseve. UEFA ndeshjen e regjistroi 3:0 për Serbinë, ndërsa Serbisë iu morën tri pikë nga ky cikël eliminator. Vendimi është marrë nga dy shkallë të UEFA-s dhe tani CAS-i është niveli i fundit. “Vendimi i CAS-it është shumë i rëndësishëm. Shpresoj që të kemi një gjykim sa më objektiv dhe sa më të favorshëm për Shqipërinë. Kemi marrë masat që të paraqitemi sa më mirë. Në seancë do të jetë i pranishëm avokati ynë, unë trajneri De Biasi, kapiteni dhe specialistë të fushës. Shpresoj në një vendim pozitiv”, ka thënë Duka për mediumet tiranase, transmeton Koha.net. Ai ka bërë të ditur se FSHF-ja do të përdorë si argument edhe vendimin për t’i dhënë Rusisë fitore për ndeshjen e ndërprerë me Malin e Zi. “Do t’i bëjmë me dije CAS-it se vendimi i marrë për Rusinë tregon një qëndrim me dy standarde. Ngjarjet në Mal të Zi ishin shumë pak më të rënda se ato të Serbisë. Besoj se duhet ta marrin parasysh si një precedent”./veqsport.com/