Përfaqësuesit e serbëve do të duhej të ktheheshin në Qeveri dhe në institucionet e saj, vlerësojnë analistët serbë.
Për këtë temë në B92 ka folur edhe ish-ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviq dhe analisti Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike.
Bogdanoviq thotë se bojkoti nuk është mënyrë që të luftohet për interesat tuaja.
“Edhe në kohën kur kam qenë ministër, në disa raste përfaqësuesit serbë kanë bojkotuar institucionet e Kosovës dhe nga kjo ne më shumë jemi dëmtuar se që kemi përfituar”, ka thënë Bogdanoviq, transmeton Koha.net.
Janjiq vlerëson se kjo është një çështje e taktikës dhe e asaj se çka mund të përfitohet para kthimit të përfaqësuesve serbë në qeverisë e Kosovës.
“Koordinimi i punës me Listën Serbe është i nevojshëm dhe kjo është e mirë. Me këtë, beogradi është bërë faktor i rëndësishëm në Kosovë”, ka shtuar Janjiq.
Goran Bogdanoviq vlerëson se serbët do duhej të ktheheshin në parlamentin e Kosovës në kohën kur në rend dite do të ishte votimi për formimin e gjykatës speciale.
Dushan Janjiq thotë se është e mundshme që para kthimit të kërkojnë realizimin e disa kushteve.
“Është e mundshme të kërkohet ndonjë post tjetër ministror, që Prishtina të pajtohet që çështja e Trepçës të zgjidhet jashtë Prishtinës dhe që të zgjidhet çështja e Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka këshilluar Janjiq.