Serbët sulmojnë ekipet e mediave, reagon ambasadori i BE-së: Gazetarët të lejohen të kryejnë punën

E publikuar: 29/05/2023 18:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kurti Tomáš Szunyog - ZKM-1

Kurti Tomáš Szunyog – ZKM-1

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka dënuar dëmtimin e makinave të ekipeve të mediave të cilat po raportojnë në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre, përkundër situatës së tensionuar.

“Bashkimi Evropian dënon dëmtimin e sotëm të makinave që i përkasin KallxoLive dhe RTV Dukagjini. Edhe pse situata e sigurisë në veri është e tensionuar dhe e vështirë, gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre”, ka shkruar ai.

Gjatë ditës është raportuar për dëmtimin e disa makinave të medieve të cilat po raportojnë nga veriu i Kosovës, ku njërës prej tyre i është vënë zjarri.Mes mediave të sulmuara është edhe Top Channel, ku dy persona me kapuça dhe maskë, shkruajnë me bojë simbole serbe në makinën e ekipit që po raporton në veri.

Disa serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komuna.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Pesë policë mbetën të lënduar ndërsa katër makina u dëmtuan, si pasojë veprimeve të protestuesve.

Kryetarët shqiptarë kanë dalë nga zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të vendit, zgjedhje këto të cilat janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lisa Serbe, me përkrahjen e Beogradit zyrtar.