Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, thotë se kandidatët serbë do të konkurrojnë sot në konkursin për gjykatës dhe prokurorë, i hapur tani e sa ditë për gjykatat në veri të Kosovës. Sipas tij, për serbët e Kosovës është me rëndësi që të bëhen pjesë e insitucioneve të Kosovës.
Ai paralajmëroi se të marten në Bruksel, pritet të fillojnë bisedimet lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave serbe.
Serbët e Kosovës duket se do të presin ditën e fundit për të konkurruar në Konkursin e shpallur nga institucionet e Republikës së Kosovës, për gjykatës dhe prokurorë për gjykata në veri të vendit, që është hapur mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Bruksel në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, kandidatët serbë pritet të konkurrojnë sot në Konkursin e shpallur shkruan rtklive.
“Serbët e veriut të hënën do t’i dorëzojnë EULEXlit listën me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve serbë”, ka thënë Gjuriq për televizionin publik të Serbisë RTS. Ai ka precizuar se janë 48 kandidatë për gjykatës dhe 15 për prokurorë.
“Gjykatësit që sot gjykojnë në proceset gjyqësore në Kosovë nuk ndajnë drejtësinë njësoj për të gjithë”, ka deklaruar Gjuriq, ndërsa ka shtuar se për këtë arsye, është me shumë rëndësi që serbët të bëhen pjesë në proceset gjyqësore dhe institucionet gjyqësore të Kosovës. Gjuriq ka paralajmëruar se gjykatësit dhe prokurorët serbë në Kosovë, do të fillojnë punën më 1 shtator. Ndryshe, sot skadon për paraqitjen e dokumenteve në konkursin e shpallur për gjykatësit në veri të Kosovës.
Për të martën ndërkaq, ai ka paralajmëruar se në Bruksel pritet të fillojnë bisedimet midis palëve në dialogun Kosovë – Serbisë lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave serbe. “Në Bruksel, ka thënë Gjuriq, delegacioni i Serbisë do të luftojë që Asociacioni i Komunave serbe të ketë të gjitha të drejtat që forcojnë politikisht serbët në Kosovë./tribuna/