Pas përgjigjes kërcënuese të qeverisë serbe për ftesën që një OJQ serbe ka dërguar në adresë të zëvendës kryeministrit kosovar Hashim Thaci, tani po vijnë edhe kërcënime serioze me jetë edhe ndaj të rinjve serbë dhe kosovarë që janë ftuar të marrin në këtë konferencë nga grupe nacionaliste serbe.
Kjo konferencë përndryshe është financuar nga qeveria britanike ku pritet të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë të BE-së. Kështu, në profilin e organizatës nacionaliste serbe, Lëvizja Popullore Serbe 1389 ka postuar një fotografi të serbëve dhe shqiptarëve të rinj që janë ftuar në konferencën e organizatës “Ambasadorët e Paqes”, ku tani është vendosur flamuri shqiptar dhe ku shkruhet: “Këta të paturpshëm kanë ftuar gjakatarin Thaçi në Beograd. Mbani në mend fytyrat e tyre, dhe kudo që t’i shihni tentoni t’ua shkatërroni jetën, ta ndjejnë hidhërimin e drejtësisë, pa frikë, ja jepni atë që meritojnë”.
Përndryshe ftesa e bërë ndaj Thaçit dhe përgjigja e tij pozitive kanë krijuar një valë nacionalizmi në Serbi dhe tërbimi anti-Kosovë. Tash e disa ditë mediat serbe janë të mbushura faqet me ftesën e Thaçit, duke e quajtur atë si provokim të Prishtinës dhe duke u fokusuar në Thaçin si armikun më të madh të shtetit serb./express/