Mediat serbe vijojnë propagandën për atë që rrezikojnë në ndeshjen e 8 Tetorit në “Elbasan Arena”. Më e fundit në listë është hipoteza se në Shqipëri skuadra rrezikon edhe helmimin nga ushqimi. Sipas mediave të Beogradit, zyrtarët e Federatës Serbe nuk besojnë te qëllimet e mira të palës shqiptare, për periudhën dy-ditore kur përfaqësuesja e Ivanovic me shokë do të qëndrojë mes Tiranës dhe Elbasanit.
Për këtë arsye ata vendosën të marrin me vete një kuzhinier. Bëhet fjalë për Velmir Mitrovic, i cili do të udhëtojë në Tiranë pak orë përpara ekipit serb. Ai do të kontrollojë cilësinë e ushqimit dhe mënyrat për të përgatitur menutë që do të konsumojnë lojtarët. Vendimi i federatës për t’u kujdesur edhe për këto detaje të vogla, lidhet me shqetësimin që të evitohen episode të cilat mund të ndikojnë në epilogun e ndeshjes.
Federata Serbe e argumentoi qëndrimin me ngjarjen e ndodhur në Minsk, ku 17 lojtarë të përfaqësueses së Luksemburgut u helmuan nga ushqimi përpara ndeshjes së Euro 2016 me Bjellorusinë. Ekipi serb do të mbërrijë në Shqipëri më 7 tetor, vetëm pak orë përpara zhvillimit të ndeshjes. Përveç bazës materiale, ata do të transportojnë me vete edhe ujin, për një sasi prej qindra shishesh. Kjo mbështetur në përvojën e mëparshme të disa ekipeve, që kanë pasur shqetësime shëndetësore prej ujit të pishëm në vendet ku shkojnë.