Disa qytetarë serbë, përmes mesazheve në rrjetet sociale, i kanë bërë thirrje Iranit që të sulmojë bazën amerikane Bondsteel në Kosovë, pas nisjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Lindjen e Mesme.
Lidhur me këtë çështje, Misioni NATO-s në Kosovë (KFOR) u është përgjigjur pyetjeve nga shumë media në Kosovë, duke bërë të ditur se aktualisht forca dhe struktura e saj nuk kanë pësuar ndryshime të rëndësishme.
“Forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, ndërsa rrethanat evoluojnë, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin”, thuhet në përgjigjen për mediat.
NATO vlerëson lart rolin e Shteteve të Bashkuara në sigurimin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal, duke theksuar se brenda KFOR-it ka afërsisht 600 trupa amerikane. “Shtetet e Bashkuara luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, duke përfshirë edhe udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje (RC-Lindje) të misionit. RC-Lindje kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it përmes patrullave, ushtrimeve, angazhimeve me përfaqësuesit e komuniteteve lokale dhe mbështetjes për projekte rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik”.
Misioni ushtarak i Aleancës Veriatlantike thekson se vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke siguruar një ambient të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë qytetarët në Kosovë.
“KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre si reagues të sigurisë. Prania dhe aktivitetet e përditshme të KFOR-it krijojnë hapësirë për dialog politik. Stabiliteti në rajon varet nga zgjedhja e diplomacisë mbi dhunën, dhe rruga drejt paqes afatgjatë është politike. NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqimisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura me respekt për të drejtat e të gjitha komuniteteve”, kanë thënë nga KFOR-i./zeri

















