Senatori amerikan Ron Johnson, i cili të hënën mbrëma e ka kaluar në Serbi duke takuar zyrtarët e atjeshëm, ka thënë se dallimi ndërmjet amerikanëve dhe gjermanëve aktualisht në procesin e bisedimeve është se Gjermania ka vendosur vijat e kuqe.
“Unë do të thosha se ata kanë vendosur vijat e kuqe. Por, ne e mbështesim fort dialogun që e kryeson Bashkimi Evropian në kuptim të afrimit të dy palëve. E mbështesim këtë dialog por nuk po vendosim asnjë kufizim”, ka thënë Johnson.
I pyetur se a janë serioze palët për gjetjen e një zgjidhjeje, ai ka thëne se mendon që po, por insiston që SHBA-ja nuk do të imponojnë asgjë.
Senatori republikan i cili është drejtues i Komitetit për Siguri të Brendshme, Ron Johnson, ka thënë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është në duart e Serbisë dhe Kosovës, ndërsa SHBA-ja, sipas tij, do të luajë vetëm rol inkurajues dhe do ta mbështesë marrëveshjen, transmeton Gazeta Express.
Në intervistën për REL, ai ka thënë se zgjidhja duhet të vijë nga dy palët.
“Zgjidhja duhet të vijë nga udhëheqja dhe populli i Serbisë dhe Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë atje vetëm për të mbështetur dhe inkurajuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ne duam që udhëheqja e të dyja palëve të japë hapësirë për të qenë fleksibile dhe krijuese, për të gjetur një zgjidhje për këtë problem jashtëzakonisht të vështirë. Këtu jam kryesisht për të ofruar një mbështetje dhe inkurajim të tillë”, tha Johnson. /GazetaExpress/



















