Senatorët italianë duan raport nga ministri i Jashtëm për “rindezjen e konfliktit” Serbi-Kosovë

E publikuar: 08/11/2022 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Mitrovica veriore

“Ministri i Jashtëm duhet të raportojë në mënyrë të detajuar në Parlament për situatën dhe nismat e vendit tonë në lidhje me krizën në Ballkan. Për shkak të rolit strategjik që luan zona e Ballkanit për sigurinë e vendit tonë, Italia duhet të iniciojë dhe të mbështesë veprime diplomatike, brenda BE-së dhe në mënyrë autonome, për të zbutur situatën e tensionit të fortë mes Serbisë dhe Kosovës”.

Kështu pyeti senatorja Tatjana Rojc (Pd), si nënshkruesja e parë për pyetjen drejtuar ministrit të Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, për rrezikun që të rindizet konflikti mes Serbisë dhe Kosovës, raporton Klankosova.tv.

Përveç shefes së grupit Simona Malpezzi, dokumenti u nënshkrua nga rreth 30 kolegë të saj.

Duke iu referuar deklarimeve të BE-së se “përshkallëzimi mes Prishtinës dhe Beogradit në ditët e fundit ‘është shumë i rrezikshëm’ dhe vë në rrezik vite punë të palodhur dhe rezultate”, senatorja pyet gjithashtu “nëse Ministria e Jashtme ka përgatitur tashmë nisma specifike të vendit tonë në funksion të samitit vendimtar të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Shqipëri në dhjetor”.

Sipas senatores Rojc dhe senatorëve tjerë nënshkrues, “është e nevojshme të miratohen paradigma të reja strategjike përballë paqëndrueshmërisë në Ballkan, gjithashtu si një projeksion i luftës në Ukrainë me sfidën shtesë ndaj rendit liberal demokratik të mbështetur nga aleancat perëndimore”. /Klankosova.tv