Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se kryediplomati kosovar Hashim Thaçi mund të mos të udhëtojë për në Beograd, ani pse ky i fundit ka shprehur gatishmëri të shkojë në kryeqytetin serb.
Selimi për Klan Kosovën ka thënë se fatkeqësisht Serbia nuk është e gatshme të lë pas të kaluarën millosheviqiane, në bazë të së cilës është edhe vendimi i vitit 1997 për arrestimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Tashmë disa ditë kemi konfirmuar se Hashim Thaçi është i gatshëm të shkoj në Beograd. Por, sot më në fund shteti serb u përgjigj, edhe atë negativisht. Kjo ka vërtetuar se Beogradi zyrtar ende respekton vendimet e Sllobodan Millosheviqit dhe fatkeqësisht, ende këto ligje janë në fuqi. Ne do ta informojmë bashkësinë ndërkombëtare se Serbia nuk dëshiron të shkëputet nga e kaluara Millosheviqiane, por një ditë kjo do të ndodhë”, ka thënë zëvendësministri i punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë se sot Qeveria serbe ka thënë se nëse diplomati kosovar do të vjen në kryeqytetin serb, ai do të arrestohet menjëherë sipas ligjeve në fuqi. Kujtojmë se zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, është dënuar nga një gjykatë serbe në mungesë për terrorizëm.