Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thotë se politika qëndron prapa keqpërdorimeve në inspektoratin e Policisë, por edhe në sistemin e drejtësisë.
Ai ka thënë se në të dy këto institucione “është krijuar një situatë e rrezikshme”.
“Ekzistojnë parti politike që në vazhdimësi janë munduar ta ushtrojnë ndikimin e tyre të paligjshëm në institucione shtetërore, dhe kemi edhe politizimin e dy shtyllave kryesore, drejtësinë dhe policinë. Për fat të keq përpos problemeve brenda prapa tyre ekziston edhe një mbështetje politike ndaj të cilës këta njerëz brenda ndihen borxhlinj, sepse ata mendojnë se u kanë borxh pasi i kanë futur në këto pozita”, ka thënë Selimi në Express Intervistë.
Ai ka shtuar se në polici dhe në institucionet e drejtësisë ka krim të organizuar “me politikën që u qëndron prapa”.
Sipas Selimit, të gjithë keqpërdoruesit në polici, prokurori dhe inspektorat të policisë janë të lidhur mes vete dhe po e mbrojnë njëri-tjetrin./koha.net/