Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi shkruan në rrjetin social Facebook se, refuzimi i Gjykatës Speciale nuk është refuzim i drejtësisë, por i padrejtësisë.
Ky është publikimi i plotë i Selimit, së bashku me analizën për deklaratë e Clint Williammson:
Deklarata e Kryeprokurorit të Task Forcës Hetimore Speciale Clint Williammson është argumenti kryesor që tregon se Gjykata Speciale ia faturon Kosovës dhe shqiptarëve, siç thuhet, SPASTRIMIN ETNIK…
Deputet e Kosovës kurrë nuk do të duhej ta marrin përsipër që me votën e tyre t’ia ngarkojnë Kosovës barrën e spastrimit etnik, për asnjë periudhë kohore.
Deklarata e Williamsonit është arsyeja më bindëse dhe argumenti kryesor që duhet refuzuar themelimin një gjykate të tillë.
I ftoj te gjithë deputetët që ta rilexojnë dhe kuptojnë këtë deklaratë të Kryeprokurorit Williamson. Pasi ta kenë rilexuar atëherë do ta kenë edhe më të qartë se si duhet të votojnë.
Ata që do të votojnë PËR do ta kuptojnë se çfarë barre po ia ngarkojnë Kosovës, kurse ata që do të votojnë KUNDËR do ta kuptojnë edhe më shumë se nga çka po e ruajnë Kosovën.
Të gjithë ata që mendojnë se Kosova nuk dëmtohet nga kjo Gjykatë le ta lexojnë së paku paragrafin e parë në faqen 2. ( Të gjeturat e përgjithshme).
Te gjithë ata që mendojnë se kjo gjykatë ka të bëjë me individët e jo me LUFTËN e UCK-së, le ta rilexojnë paragrafin e dytë në faqen 2 të tekstit të mëposhtëm të deklaratës së Kryeprokurorit të Task Forcës Speciale (Të gjeturat e përgjithshme).
Pra këto janë disa nga argumentet tona (jo të vetmet) se përse NUK DUHET të themelohet Gjykata e Dick Martyt dhe e Williamsonit.
Nëse të njëjtat argumente dhe arsye i kanë edhe ata që e kërkojnë dhe e mbështesin themelimin e kësaj gjykate të tillë, atëherë aq me i qartë bëhet qëllimi i tyre.