​Sekuestrohen katër objekte te “Rana e Hedhun”, masa sigurie për nëntë persona

E publikuar: 29/10/2025 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka sekuestruar katër objekte ndërtimi të ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin, te “Rana e Hedhun” Shëngjin – Lezhë si dhe lëshoi masa sigurimi ndaj 9 personave për shpërdorim detyre dhe ndërtim i paligjshëm”.

Prokuroria ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj personave të dyshuar, si më poshtë:

Shtetasi G.M., ish-drejtor vendor i ASHK Lezhë, masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;

Shtetasi A.Sh., ish-përgjegjësi i legalizimeve pranë ASHK Lezhë, masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;

Shtetasi A.M., përgjegjësi i legalizimeve pranë ASHK Lezhë masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;

Shtetasi P.T., masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal, kryer më shumë se një herë, dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal;

Shtetasi L.B., inxhinier konstruksioni, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal;

Shtetasi H.Xh., inxhinier ndërtimi, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal;

Shtetasi F.Gj., ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Shtetasi K.M. ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT Lezhë, masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Shtetasi M.N., Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet (SPZ) pranë Stacionit të Policisë Shëngjin, Komisariati Lezhë, masa e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre publike” dhe njëkohësisht “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë është pranuar kërkesa e Prokurorisë me ndryshimet vetëm për shtetasin G.M, A.SH dhe A.M për të cilët ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Në njoftimin e Prokurorisë Lezhë, thuhet se në kuadër të hetimeve është pranuar nga Gjykata kërkesa për vendosjen e masës së sekuestrimit preventiv mbi katër objekte ndërtimi, të ndërtuara pa leje dhe të legalizuara në kundërshtim me ligjin në zonën “Rana e Hedhun”, raporton ATSH, përcjell KosovaPress.

Hetimet për këtë çështje vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme dhe identifikimin e çdo personi tjetër që mund të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.