Përfaqësues të institucioneve të larta vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë, kanë thënë se Kosova ka nevojë për zbatimin e politikave të cilat ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike.
Kryeministri i Republikës se Kosovës, Isa Mustafa,ka theksuar se Qeveria e Kosovës tashmë ka përcaktuar politikat zhvillimore në sektorin publik dhe atë privat, por duke i dhënë përparësi sektorit privat, pasi ky sektor sipas tij, konsiderohet bazë për zhvillimin ekonomik.
“Të krijojmë një klimë që të gjithë ne do të mburremi për suksesin e bizneseve private dhe për pasurimin e tyre. Të gjithë ne duhet të luftojmë kundër pasurimit të atyre që shfrytëzojnë paranë publike në mënyrë joligjore, por të mburremi që pasurinë e tyre e bëjnë në bazë të punës dhe iniciativës private”, ka thënë Mustafa.
Ai ka treguar se Qeveria e Kosovës do të bëjë përpjekje që të rris normën vjetore të rritjes ekonomike të Bruto Produktit Vendor, rrjedhimisht uljen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë.
Këto komente kryeministri Mustafa i ka bërë në një konferencë ndërkombëtare me temë “Aktivizimi i burimeve të rritjes në Kosovë”, të organizuar nga Instituti “RIINVEST” më rastin e 20 vjetorit të themelimit.
Tomas Gnocchi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ,tha se fushat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë janë sektori privat, energjetika, bujqësia dhe arsimi.
Për t’i arritur këto, sipas tij, Kosova duhet të dyfishojë përpjekjet për zhvillim.
“Si Bashkim Evropian do të donim të theksonim se Kosova duhet t’i dyfishojë përpjekjet e saj që në radhë të parë të ketë qasje gjithëpërfshirëse ndaj investimeve të huaja direkte dhe të përqëndrohet në mënjanimin e pengesave ekzistuese, siç janë burokracia e komplikuar dhe jo e përgjegjshme, korrupsioni shumë i përhapur, joformaliteti dhe gjyqësori joefikas dhe i stërngarkuar”, tha Gnocchi.
Kurse Chris Edwards, zëvendësdrejtor në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID), ka thënë se vetëm përmes rritjes ekonomike në Kosovë mund të krijohen vendet e reja të punës.
“Aseti më i rëndësishëm i Kosovës është populli i saj dhe nëse qytetarët e Kosovës nuk kanë një punë të qëndrueshme atëherë ky aset do të humbet”,tha Edwards.
Nëse nuk gjenerohet rritje më e madhe ekonomike, Kosova mund të përballet me probleme të mëdha sociale dhe ekonomike ka thënë Muhamet Mustafa, kryetar i Këshillit Organizativ të konferencës.
“Për të gjeneruar rritje ekonomike, investimet janë një ndër faktorët kryesor, Kosova investon pak, në krahasim me nevojat dhe vendet tjera. Rreth 22 – 24 për qind të Bruto Produktit vendor, shkojnë për investime. Kjo do të ishte në rregull për vendet e zhvilluara, por për Kosovën kjo është pak. Kjo vlerë duhet të rritet mbi 30 për qind”, tha Mustafa, raporton rel.
Sidoqoftë, gjatë kësaj konference të gjithë janë pajtuar se për të pasur rritje ekonomike dhe zhvillimin të përgjithshëm ekonomik, në rend të parë duhet të ndihmohet sektori privat.