Sipas shkencëtarëve, bëhet fjalë për ndikimin e gjeneve në regjimin tonë të pushimit. Përse në mosha të ndryshme kemi nevojë për sasi të ndryshme gjumi. Disa nga liderët më të mëdhenj të botës, nga Napoleon Bonaparti, Çurçilli, Klintoni apo Teçeri, thuhet se flinin maksimumi 6 orë në 24 orë.
Ndërkohë, një adoleshent e ka të vështirë që të çohet nga shtrati pa fjetur minimalisht 10 orë, shkruan standard.al. Ndërsa bebet e sapolindura kalojnë 18 orë, sigurisht që të marra së bashku. Për sa u përket personave të moshuar për ta është e vështirë që të vënë gjumë në sy për më tepër se 6 orë në ditë, edhe pse shpesh pagjumësinë e natës e kompensojnë me dremitjet e pasdites.
Gjumi si edhe elementet e tjera është thelbësor dhe shumë i rëndësishëm për jetën. Edhe kafshët flenë gjatë 24- orëshit të tyre dhe madje një nga torturat më të mëdha që mund t’i bëhet një njeriu është që ta lësh pa gjumë. Por pyetja më e rëndësishme që nuk ka marrë ende përgjigje është: për sa gjumë kemi nevojë ne? Disa ndihen të lumtur me vetëm 4 orë gjumë, të tjerë me 6 dhe të tjerë duan patjetër që të flenë mbi 7 orë për të qenë të kthjellët gjatë ditës dhe për ta rimarrë veten.
Cilat janë orët që duhet të kalojmë në gjumë për të pasur një trup dhe mendje të shëndetshme dhe a ndryshon vërtet kjo sasi e gjumit mes grupmoshave dhe njerëzve? Një studim i fundit në lidhje me gjumin ka nxjerrë në dritë që disa njerëz kanë pësuar një mutacion gjenetik në një gjen që duket se luan një rol shumë të rëndësishëm në caktimin e orëve të gjumit për qeniet njerëzore, shkruan standard.al. Shkencëtarët kanë studiuar një familje të madhe në Kaliforni dhe zbuluan se mamaja dhe e bija e saj kishin një zakon. Ato çoheshin në orët e para të mëngjesit dhe kjo pa ndonjë efekt të keq të dukshëm. Zakonisht ato binin për të fjetur në 10.30 dhe çoheshin në 4.00.
Studiuesit morën mostra gjaku nga e gjithë familja dhe analizuan ADN-në e tyre për të zbuluar ndonjë gjurmë të çrregullimit dhe vunë re se ato kishin pësuar një mutacion në një gjen të njohur si hDEC2, që është i njohur për ndikimin edhe në gjenet e tjera dhe lidhet mbi të gjitha me ndikimin që ka për të kontrolluar gjumin. Anëtarë të tjerë të familjes që bënin një gjumë të gjatë nuk e kishin pësuar këtë mutacion.
Ata flinin rregullisht 8 orë në ditë, në vend të 5 orëve që flinin mamaja dhe vajza. Për të qenë të sigurt se hDEC2 ka të bëjë vërtetë me kohëzgjatjen e të gjumit, shkencëtarët futën me shumicë gjenin në fjalë në një mi dhe panë se ai nisi të kishte të njëjtat zakone, si edhe gratë, pra të flinte shumë pak. Sipas shkencëtarëve, në trupin tonë ka një sistem që na dikton se sa nevojë për gjumë kemi. Por ajo që shkencëtarët nuk e dinë është se si arrihet në këtë përfundim.
Por sipas studimit doli në pah se njerëz të ndryshëm kanë nevoja të ndryshme për gjumë. Në vitin 1999 shkencëtarët identifikuan ekzistencën e një gjeni, ose më saktë ndryshimin mutacional brenda një gjeni. Ky ndryshim kodicionon kohën që kalojmë në gjumë, zakonin për të fjetur herët, apo për t’u çuar vonë, shkruan standard.al. Në bazë të këtij zbulimi u bë një klasifikim në lidhje me grupmoshat dhe orët përkatëse të gjumit që ka nevojë secila prej tyre. Gjumi është një produkt i ritmit kardiak dhe e një faktori tjetër kontrolli që mat sasinë e gjumit që bëjmë. Kur kemi nevojë për gjumë mekanizmi na bën që të flemë, ndërsa kur nuk kemi nevojë për gjumë po i njëjti mekanizëm na bën që të çohemi.
Ajo çka tashmë dihet është se sasia e gjumit që bëjmë është nën kontroll të vazhdueshëm gjenetik dhe këta faktorë gjenetikë mund të jenë në pjesën më të madhe të trashëgueshëm, por edhe të fi tuar përmes mutacioneve të ndryshme. Por pavarësisht të gjitha zbulimeve, bota e gjumit dhe e rregullimit të tij është një botë e gjitha për t’u zbuluar.
Shtatë moshat e gjumit
Gjumi te të sapolindurit ndodh gjatë gjithë ditës, por ndjek një cikël të çrregullt.
Bebet mes 3 dhe 11 muajve të parë të jetës zakonisht nisin të fl enë ca orë edhe natën.
Të miturit mes 1 dhe 3 vjeç kanë nevojë për 12 deri në 14 orë gjumë dhe dremitje të vogla gjatë ditës.
Fëmijët e moshës parashkollore nisin të kenë ankthe dhe frikë gjatë natës.
Problemet me gjumin te fëmijët e moshës 12 vjeç kanë të bëjnë me televizorin dhe kompjuterin.
Adoleshenca lidhet me orët e gjata të gjumit dhe mendohet se kjo është e nevojshme për zhvillimin.
Sa më shumë kalon mosha, aq më pak flenë njerëzit.