Sekretari i Shtetit Tillerson viziton Kinën

E publikuar: 30/09/2017 13:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson ndodhet në Pekin, duke kërkuar bashkëpunimin e Kinës ndaj agresionit bërthamor të Koresë së Veriut, në mes të tensioneve të larta në gadishullin Korean.

Zoti Tillerson u takua me presidentin kinez Xi Jinping për bisedime se si ta detyrojnë Korenë e Veriut të braktisë programin e saj bërthamor. Diskutimet gjithashtu mbuluan tregtinë dhe përgatitjet për vizitën e parë të Presidentit Donald Trump në Kinë në nëntor.

Më parë të shtunën, sekretari Tillerson u takua me diplomatin më të lartë të Kinës, këshilltarin shtetëror Yang Jiechi dhe ministrin e jashtëm Wang Yi.

Shtetet e Bashkuara janë duke u afruar me zyrtarët kinezë për angazhimin e Pekinit për kufizimin e importeve të qymyrit të Koresë së Veriut, hekurit, mineralit të plumbit dhe dhe ushqimeve të detit.

Nëse zbatohet plotësisht ndalimi i këtyre artikujve, kjo mund të reduktojë ndjeshëm të ardhurat e Koresë së Veriut këtë vit. Sipas Departamentit të Shtetit, Koreja e Veriut fitoi 1.5 miliardë dollarë nga eksporti i këtyre artikujve në Kinë në vitin 2016.

Kina është partneri tregtar numër një i Koresë së Veriut. Uashingtoni thotë se një bashkëpunim i Kinës është çelësi për prerjen e aftësisë së Phenianit për të fituar valutë të huaj.

Drejtori i Institutit Carnegie Endowment për Azinë, Douglas Paal thotë se megjithatë, ndikimi i Kinës mbi Korenë e Veriut është i kufizuar.

“Koreja e Veriu është shumë e gatshme të marrë udhëzime nga Kina. Ajo do të shfrytëzojë çdo gjë që mund të marrë nga Kina, por nuk kërkon udhëheqje politike nga Kina. Pra, ky është një problem që SHBA-ja dhe Koreja e Jugut duhet të trajtojnë drejtpërsëdrejti me Korenë e Veriut ” tha zoti Paal për Zërin e Amerikës.