Sekretari i Mbrojtjes: SHBA-të “të përgatitura” për luftë me Kinën

E publikuar: 05/03/2025 19:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Washington-i është “i përgatitur” për luftë me Kinën, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke iu përgjigjur kërcënimeve të Pekin-it pas vendosjes së tarifave të reja nga Presidenti Donald Trump.

“Ne jemi të përgatitur”, tha Hegseth në Fox News, duke theksuar nevojën për forcë ushtarake për të penguar një konflikt.

“Ata që dëshirojnë paqen duhet të përgatiten për luftë”, vuri në dukje ai, duke nënvizuar përpjekjet e modernizimit të ushtrisë amerikane.

Vërejtjet e Hegseth erdhën pasi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian paralajmëroi se Kina është “e gatshme të luftojë deri në fund” në përgjigje të veprimeve të SHBA-ve, qoftë në një luftë tregtare apo konflikt ushtarak.

“Ne jetojmë në një botë të rrezikshme me vende të fuqishme, në rritje me ideologji shumë të ndryshme. Ata po rrisin me shpejtësi shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe teknologjinë moderne, duke synuar të zëvendësojnë Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

“Nëse duam të pengojmë luftën me kinezët ose të tjerët, duhet të jemi të fortë”, tha Hegseth, duke theksuar se forca është thelbësore për të penguar luftën.

Hegseth tha se Trump ka një marrëdhënie “të shkëlqyer” me presidentin kinez Xi Jinping dhe se ata janë duke eksploruar mënyra për partneritet dhe bashkëpunim me Kinën.

Duke deklaruar se Washington-i nuk “kërkon” luftë me Kinën, ai tha se Trump “ka kërkuar paqe dhe mundësi historike” me Pekin-in.

Megjithatë, ai theksoi se detyra e tij si sekretar i mbrojtjes është të sigurojë që vendi i tij të jetë i përgatitur.