Sekretari i Jashtëm britanik në LDK pritet nga nënkryetarja Kica-Xhelili

E publikuar: 02/04/2025 15:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, sot gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka takuar edhe krerët e partive opozitare.

Më herët ai takoi kreun e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Por, nga LDK-ja njoftuan se kryediplomatin britanik e ka pritur nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili.

Bashkë me të ishin edhe anëtarët e Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti dhe Alush Gashi.

LDK tha se gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e LDK-së karshi këtyre çështjeve.

“LDK mirëpret emërimin e ambasadores Karen Pierce si e Dërguar e Posaçme për Ballkanin Perëndimor. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson dhe falënderon Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen e vazhdueshme në proceset e shtetndërtimit të Kosovës”, u tha në njoftim.

LDK nuk dha ndonjë sqarim për mungesën e kryetarit Lumir Abdixhiku në këtë takim me Lammy.