Sekretari britanik: Duam të shohim normalizim të raporteve me Serbinë, e mbështesim Kosovën për anëtarësim në KiE

E publikuar: 02/04/2025 10:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë është takuar sot me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, pas të cilit kanë pasur një adresim për media.

Lammy tha se lidhjet e fuqishme mes dyja vendeve reflektohen edhe në administratën e re. Ai përmendi ish-kryeministrin britanik, Tony Blair dhe rolin e tij në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke  thënë se progresi që është arritur në Kosovë që atëherë duhet të mbështetet në këto kohë sfiduese globale.

“Është ndjenjë shumë e mirë të kthehem përsëri në Kosovë. Lidhjet e fuqishme mes dy popujve tanë është diçka shumë e vlefshme për mua dhe kolegët e mi në administratën e re. E keni pritur Tony Blair këtu vitin e kaluar dhe roli i tij rreth ndërhyrjes së NATO-s ka qenë një prej arritjeve të tij më të mëdha dhe është e qartë kur vini në Kosovë dhe e shihni progresin e jashtëzakonshëm që është arritur, dhe është progres që duhet ta mbështetim në këto kohë të vështira me zhvillimet globale.

Ky është një rajon që ka pasur rëndësi për britanezët dhe sot kthehem me zonjën Piers si e dërguar speciale dhe me përvojën e saj të madhe në vend dhe rajon, por edhe të freskët nga Washingtoni si ambasadore e jona atje. Jam i lumtur që Mbretëria e Bashkuar po udhëheqës Procesin e Berlinit këtë vit”, tha Lammy.

Ai përmendi edhe dialogun me Serbinë, duke thënë se normalizimi duhet të ndodhë. Lammy po ashtu tha se Britania e Madhe do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Janë disa gjëra që duam t’i shohim në rastin e zhvillimit të partneritetit. Duam normalizim të qëndrueshëm dhe paqësor me Kosovës dhe Serbisë. Mbretëria e Bashkuar është kontribuues i madh në KFOR, qenësore për sigurinë tuaj dhe shpresoj që qeveria e ardhshme do t’i adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin në dialogun e udhëhequr nga BE.

Është e rëndësishme ta shohim Kosovën duke shënuar progres në rrugëtimin e saj euroatalntik dhe me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar shpresoj që do të mund të anëtarësoheni në KiE.

Ndërkaq presidentja Osmani ka bërë me dije se ka propozuar marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve, që do të mbulonte fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.

E Lammy tha se se muajt  e ardhshëm shpreson të kthehet në Kosovë për të avancuar këtë partneritet.

Presidentja Osmani dhe unë e kemi diskutuar bashkëpunimin në në një marrëdhënie më të strukturuar mes dyja vendeve në muajt e ardhshëm dhe shpresoj që do të kthehem për të avancuar këtë partneritet”, tha Sekretari britanik.