Sekretari amerikan i Shtetit planifikon një vizitë në Ballkanin Perëndimor

E publikuar: 04/04/2025 18:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio po planifikon një vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor më vonë këtë vit, ka njoftuar ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq.

Njoftimi u bë pas një diskutimi të shkurtër por thelbësor mes dy zyrtarëve gjatë ditës së parë të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

“Një bisedë e shkurtër, por kuptimplotë me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio. Ne do ta vazhdojmë bisedën në Podgoricë gjatë vizitës së tij në Mal të Zi dhe rajon, të cilën ai e konfirmoi për këtë vit”, tha Ibrahimoviq në X.

Bëhet e ditur se gjatë takimit të NATO-s, Rubio nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes.

Ai u bëri thirrje të 32 vendeve anëtare të NATO-s që të angazhohen për forcimin e kapaciteteve të tyre ushtarake.

Standardi aktual minimal i shpenzimeve të mbrojtjes qëndron në 2% të GDP-së, por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u ka kërkuar aleatëve ta rrisin atë në të paktën 3.7%, duke u përputhur me propozimet e kaluara nga administrata Trump, e cila dikur sugjeronte një minimum prej 5%.

Ndryshe, Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe mbetet një partner kyç i SHBA-së në stabilitetin rajonal.