Sekretarja e brendshme, Suella Braverman ka fajësuar plotësisht emigrantët e paligjshëm për krizën ekonomike që ka shkaktuar shumë debate muajt e fundit në Britaninë e Madhe.
Braverman përjashtoi nga përgjegjësia çdo zyrtar të mundshëm që merret me çështjet e emigrantëve duke thënë se fajtorët e vetëm janë ata që kalojnë kanalin e La Manshit me gomone, në mënyrë të paligjshme.
“Unë ju them se kush është fajtori, është shumë e qartë se kush është, janë njerëzit që po shkelin rregullat tona, vijnë këtu në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar njerëzit e cenueshëm dhe duke u përpjekur të zvogëlojnë bujarinë e popullit britanik, këta janë fajtorët”, tha ajo.
Më tej, gjatë debatit me një nga deputetët konservatorë, Braverman pranoi dështimin me çështjen e kufijve por argumentoi se ajo dhe kryeministri Sunak po punojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë.
Kjo nuk është hera e parë që Sekretarja e Brendshme Britanike ua lë fajin emigrantëve për problematikat e Brendshme të Britanisë, madje pak kohë më parë ajo veçoi shqiptarët të cilët si cilësoi si pushtues dhe kriminelë.
Braverman tha se legjislacioni i ri për të luftuar kalimet në kanalin e La Manshit dhe abuzimin e supozuar të ligjeve moderne të skllavërisë tani nuk ka gjasa të dalë në parlament përpara Krishtlindjeve.
/Gazeta Express