Kryetari i nderit të LDK-së, Fatmir Sejdiu ka thënë për Gazetën Tribuna se sot gjatë ditës do të vendos përfundimisht nëse do të jetë kandidat për të parin e LDK-së. Ai ka thënë se ka një mbështetje të madhe nga elektorati, por edhe nga delegatët e LDK-së. Vendimin të cilin Sejdiu pritet ta marrë sot, ai ka thënë se do ta bëjë konform asaj që kërkohet më rregullore dhe statutin e LDK-së.
Duke i komentuar deklaratat e anëtarit të kryesisë së LDK-së qe në Kuvend të shkohet më një marrëveshje për sa i përket kryetarit të ardhshëm, Sejdiu ka thënë se deri më tash nuk ka pasur asnjë kontakt më lidershipin e LDK-së.
“Deri më sot nuk kam pasur asnjë kontakt nga lidershipi i LDK-së. Procesi i deritanishëm, ka qenë jashtëzakonisht i lënduar. Në shumë degë, janë bërë veprime, të cilat nuk kanë mbështetje në statut dhe janë bërë abuzime me vullnetin e elektoratit të LDK-së”, ka thënë Sejdiu.
Kjo sipas ish presidentit të Kosovës, paraqet një risk të veçantë qe Kuvendi si i tillë të mos dalë me rezultate normale të pritura.
“Duke pasur parasysh seriozitetin qe ka Kosova në këtë kohë dhe marrë parasysh zhvillimet qe i kemi para vetes, vlerësoj se ndihet nevoja qe të ketë një qasje racionale nga e cila LDK-ja, do të ishte me fortë dhe më unikë, por në këtë forme si ka shkuar deri më tash unë kam drojen se kjo nuk do të arrihet”, ka theksuar Sejdiu.
Ish kryetari i LDK-së, ka thënë se Kuvendi ka qenë dashur të mbahet në nëntor të vitit të kaluar pasi këtyre organeve ai thotë se iu ka kaluar mandati.
Sejdiu ka thënë se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për tu zgjedhur. Sipas tij, kriteri sipas të cilit kandidati duhet të marrë votat e më shumë se 50 % të delegatëve për të kandidauar është i paqëndrueshëm dhe se këtë kriter ai e ka kundërshtuar në kohën e debatit në Këshillin e Përgjithshëm.
Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri tashme publikisht kanë deklaruar se janë kandidat për kryetar të LDK-së./Gazeta Tribuna