Pakoja e Ahtisaarit nuk parashikon që Kosova t’i japë mijëra hektarë tokë Malit të Zi, por kufirin e sheh si çështje normale ndërmjet dy vendeve. Kështu deklaron në intervistën dhënë “Zërit” ish-presidenti i parë i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili e konsideron gabim trashanik që fati i kufirit t’i lihet në duar Podgoricës. Ai shpreh skepticizëm se LDK-ja mund të dalë si partia e tretë në zgjedhjet e ardhshme
Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për Shënjimin e Kufirit nuk ka qenë derivat i Pakos së Ahtisaarit. Pakoja e Ahtisaarit e ka shumë të qartë Kushtetutën e 74-s dhe gjendjen në Kosovë deri më 1988. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive presidenti i parë i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu.
Duke folur rreth Marrëveshjes së Demarkacionit, Sejdiu ka thënë se është normale që të kesh, të ruash dhe të zhvillosh marrëdhënie të mira me fqinjët, por kjo nuk do të thotë se duhet të dhurosh parcela të tëra të tokës. Në këtë drejtim ai ka thënë se ka qenë tërësisht e papranueshme që drafti i marrëveshjes i është lënë të hartohet nga Mali i Zi.
Madje presidenti Sejdiu ka zbuluar se edhe në takimet që ka pasur me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç së fundmi, asnjëherë nuk ka qenë temë demarkacioni pasi që është konsideruar si një çështje normale./Zëri/