Seanca në Colmar, këta janë skenarët e Gjykatës franceze për Haradinajn

E publikuar: 09/02/2017 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Gjykatën franceze në Colmar aktualisht është duke u zhvilluar seanca ndaj Ramush Haradinajt ku po shqyrtohet kërkesa për ekstradimin e tij në Serbi.
Por çfarë thonë në këtë Gjykatë? Zëdhënësja e Gjykatës Sandra Di Rosa ka thënë se Gjykata e Apelit fillimisht mund ta japë një mendim, ndërkohë që vendimi përfundimtar pritet të publikohet pas disa javësh.

Ajo ka theksuar se Gjykata e Apelit vendos rreth përmbushjes së kushteve për ekstradim, në bazë të konventës europiane për ekstradim, e cila nuk jep afate rreth vendimit, përderisa procesi është duke u zhvilluar në përputhje me ligjet franceze.

Nëse Gjykata jep një mendim negativ rreth kërkesës së Serbisë, ekstradimi i Haradinajt nuk do të jetë i mundur ka thënë Di Rosa.

Pas kësaj Haradinaj do të jetë i lirë për t’u larguar nga Franca, ndërkohë që Serbia nuk do të ketë të drejtë ankese.

Nëse Gjykata vendos që janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Haradinajt, zëdhënësja e e Gjykatës thotë se vendimin për këtë e merr shteti i francez.