Është ndërprerë seanca e parë e Kuvendit të Kosovës, ku ishte duke u trajtuar propozimi i amandamentit kushtetues numër 27, që ka të bëjë me përfshirjen e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se arsyeja është se nuk janë të pranishëm deputetët e komuniteve jo shumicë.
“Të gjithë e dimë që neni 144 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë që çdo ndryshimi të ksaj kushtetute do të kërkojë miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe 2/3 e të gjithë deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë.”, tha Konjufca.
Ai tha se nga komunitetet janë vetëm shtatë deputetë por duhen 14 vota për ta miratuar propozim- amandamentimin.
“Prandaj me këtë rast këtu edhe ndërpriten punimet e kësaj seance sepse nuk ka kushte objektive që të votohet ky amandament i kushtetutës.”, tha Konjufca./KlanKosova


















