Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt SHBA-së, për ta përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit, në seancën e cila mbahet të hënën nga ora 16:00, sipas kohës sonë lokale.
Në seancën e KS të OKB-së, e para e vendit tonë pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.
Ajo po ashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.