“As një palë çorape nuk ia ka ble as gjyshi, as gjyshja, as kush prej tyne.” 6
“Fëmija është rritë me trauma, për shkak se është rritë te dajtë” 7
“Nuk është rritë n’familje t’babës, as nuk i njeh, as nuk i dinë” 7
Kështu e nis rrëfimin avokati Xhevat Bici, i cili prej më shumë se një dekade e gjysmë përfaqëson ish-nusen e Sylejman Krasniqit nga Prishtina.
Në vitin 2006, ish-çifti u bë prind i një djali, ndërsa vetëm 15 muaj më vonë, ata u ndanë.
Por edhe pas gati dy dekadash, ish-çifti nuk është bërë rehat me gjykatat.
Meqë nëna ka refuzuar të flasë për media, në vend të saj ka treguar detaje avokati Xhevat Bici, i cili ka qenë pjesë e rastit që nga fillimi – qysh kur nëna kishte kërkuar nga gjykata që babai të paguante pension ushqimor për djalin.
Ai tregon se, ndonëse djali sot është 19 vjeç e gjysmë, babai dhe gjyshi kanë filluar të paguajnë vetëm gjatë gjashtë viteve të fundit – me një shumë totale prej 100 eurosh në muaj.
Për shkak të borxhit të akumuluar ndër vite, sipas avokatit, babai dhe gjyshi do të detyrohen të vazhdojnë pagesën edhe pse djali tashmë ka kaluar moshën madhore.
Madje, avokati Bici thotë se babai – Fahredini – e kishte kundërshtuar atësinë, duke pretenduar se fëmija nuk ishte i tij.
Por më vonë, përmes provave gjyqësore, është vërtetuar se ai është babai biologjik.
Ai gjithashtu kundërshton deklaratat e gjyshit, Sylejmanit, i cili kishte thënë për Kiks-in se i ishte pamundësuar kontakti me nipin.
Sipas Bicit, gjatë gjithë këtyre viteve, as babai e as familja e tij nuk kanë dhënë asnjë ndihmë për fëmijën.
Avokati shton se nëna gjithmonë ka kërkuar vetëm të drejtën e fëmijës, që babai të mbulonte një pjesë të shpenzimeve që i takojnë ligjërisht.
Por, sipas tij, as këtë obligim nuk ka dashur ta përmbushë.
Ndonëse babai vuan nga epilepsia, sipas avokatit kjo nuk është arsye ligjore për të shmangur përgjegjësinë ndaj të birit biologjik.
E njëjta vlen edhe për gjyshin – Sylejmanin.
Kiks Kosova është takuar edhe me nënën e djalit, por ajo ka refuzuar kategorikisht të flasë publikisht.
Ajo thekson se fëmijëria e djalit është shkatërruar dhe se nuk dëshiron që përmes publikimit të historisë së tyre të dëmtohet edhe e ardhmja e tij.
Sipas saj, gjyshi i djalit – Sylejmani – me qëllim që të mos ndajë trashëgimi me nipin, nuk i ka ndarë pasuri as të birit të tij, Fahredinit.
Ajo thotë se, gjatë gjithë këtyre viteve, e ka rritur dhe edukuar djalin me shumë sakrifica, me të vetmen ndihmë që ka pasur: atë nga familja e saj.

















