S’e kthyen në punë pasluftës, humbi edhe të gjitha betejat ligjore

E publikuar: 07/10/2017 15:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punoi 28 vite në hotelin më të njohur në Prishtinë. Ishte lufta që e la Ahmet Buçajn pa punë. Kur u futën masat e dhunshme në Kosovë, Buçaj u largua nga pozita që mbante në atë hotel. Por ky fat e ndoqi këtë ish-punonjës të Grandit edhe pasi përfundoi lufta. Ahmet Buçaj i humbi të gjitha betejat me drejtësinë, pasi kërkoi që pas privatizimit të hotelit të fitonte atë, që sipas tij, i takonte.

Me t’u çliruar Kosova, Ahmet Buçaj nga fshati Nabergjan, i Komunës së Pejës, kërkoi nga menaxhmenti i hotelit që të rikthehet në punë. Shpresoi se do ta rifitojë pozitën e tij. Por jo Ahmetit, nuk iu ofrua puna të cilën e kishte humbur para luftës, shkruan Gazeta Express.

Derisa shumica e punëtorët e vjetër u kthyen në pozitat e tyre, siç pretendon Ahmet Buçaj, këtij të fundit iu privua e drejta për të punuar. E pos punës, ai nuk përfitoi as nga privatizimi i Grandit, i cili ndodhi më 2006.

Hoteli Grand ishte privatizuar me një çmim prej rreth 8 milionë eurosh, me zotimin se për dy vjet do të investoheshin rreth 20 milionë euro, si dhe do të punësoheshin mbi 400 punëtorë. Megjithëse, privatizimi ka dështuar pasi është në proces gjyqësor.

Por, problemet filluan më pas, meqë blerësi nuk kishte arritur që t’i përmbushte zotimet për investime e punësim dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që t’ia marrë aksionet blerësit të Hotelit Grand.

Ahmet Buçaj ka pretenduar se në vitin 1999, kur ka përfunduar lufta, Drejtori i ndërmarrjes së hotelerisë dhe turizmit “Hotel Grand”, tani Hotel “Iliria”, Z.Ç. i ka kthyer të gjithë punëtorët në punë.

Express gjen se në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se më 3 korrik të 2017’ës, Kolegji i Gjykatës Supreme, pas shqyrtimit të raportit, i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës së ish-punëtorit të Grandit – kështu duke nxjerr aktvendim se ankesa e Ahmet Buçajt refuzohet si e pabazuar.

“Unë mbeta pa asgjë, prandaj me gojë dhe zyrtarisht kam kërkuar që të më paguhen 20% e të ardhurave, si dhe një pjesë nga shitja e objekteve. Kam kontribuar për 28 vjet. Ai i ka paguar të gjithë të punësuarit përveç meje, prandaj, ishte e detyruar që t’i drejtohem AKM’së, AKP’së, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe tani ju drejtohem juve – Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që t’i fitojë të drejtat e mia si të gjithë kolegët e mi”, ka deklaruar Ahmet Buçaj, ish-punonjës i Grandit para luftës së Kosovës.

Para se rasti të parashtrohet në Kushtetutë, ishte Kolegji i Apelit dhe ai i Supremes që ia hedhën poshtë kërkesën e Ahmet Buçajt kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Në arsyetimin e aktvendimit të ankimuar thuhet se Kolegji i Specializuar me Aktvendim C-II…, ankesa e ankuesit ishte hedhur si e papranueshme, ndaj të cilit aktvendim ankuesi kishte parashkruar ankesë…” thuhet në arsyetimin e Supremes.

Më 24 maj të 2016’ës, Kolegji i Specializuar i Gjykatës Supreme nxori aktvendim, me të cilin ishte refuzuar ankesa e Buçajt dhe u cilësua si e papranueshme, siç thuhet në aktvendim “në bazë të ‘res iudicata’ (vendim i formës së prerë, efekt procedural dhe materialo juridik) si dhe në bazë të ‘lis pendens’ (njoftim me shkrim se një padi është ngritur lidhur me pasurinë e patundshme, prone ose një interes i pretenduar pronësor në të)”.

Ahmet Buçaj për të njëjtën çështje ka ushtruar ankesë më 09 mars të vitit 2016, mirëpo sipas arsyetimit të Gjykatës, dosja e lëndës ishte e më e vjetër se lënda e Supremes, andaj kjo e dyta duhet të hedhet poshtë si e papranueshme, sepse lënda u konsiderua “lis pendens”.

“Meqenëse lënda në C-II-13-0447 (më e vjetër) tashmë është vendosur, hidhet poshtë ankesa si e papranueshme në lëndën C-II-16-0033, pasi që konsiderohet ‘res iudicata’”, thuhet në pikën e përmbledhjeve të fakteve në aktvendimin e Kushtetueses.

Megjithatë, Buçaj sërish parashtroi kërkesë kundër këtij vendimi, ku kërkoi nga Kolegji i Apelit që t’ia njohë të drejtën e tij në 20 për qind të të ardhurave nga shitja e Grandit, në të cilin ai pretendonte se kishte punuar më shumë se 28 vjet. Më 20 dhjetor të 2016’ës, Apeli nxori aktvendim se ankesa e Buçajt “refuzohet si e pabazuar”, e më pas u vërtetua edhe nga Kolegji i Specializuar i DHPGJSK’së.

Ndërsa, në vlerësimin e Kushtetueses për refuzimin e kësaj kërkesë thuhet se parashtruesi (Ahmet Buçaj), vetëm ka numëruar dhe në përgjithësi ka përshkruar përmbajtjen e dispozitave kushtetuese, duke mos dëshmuar saktësisht se si ato dispozita ishin shkelur në rastin e tij.

“Individët janë të autorizuar të ngrenë shkelje nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”, thuhet në vlerësimin e Kushtetueses.

Prandaj, kërkesa e Buçajt, Kushtetuesja thotë se duhet të deklarohet e papranueshme si dhe e pabazuar. Pas këtij aktvendimi, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama – Hajrizi, ka vendosur që kjo kërkesë të deklarohet e papranueshme dhe ky vendim të hyjë në fuqi në momentin e nënshkrimit të vendimit, i cili u bë më 18 shtator të 2017’ës.

Hoteli Grand ishte ndërtuar në vitin 1978 dhe në vitet ‘70 njihej si një nga hotelet më të mëdha në ish-Jugosllavi. “Grand Hotel”, përbëhet nga afërsisht 32.000 metra katrorë. Privatizimi i kësaj ndërmarrjeje publike u bë me metodën spin-off special, që nënkupton mosndërrimin e veprimtarisë. Ndërkaq, blerësi i këtij hoteli ishte Zylqif Berisha./GazetaExpress/