Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar se së shpejti do të vendosin për grevë, pasi Qeveria nuk është e interesuar për ta zgjidhur çështjen punëtorëve të arsimit shqip të për vitet shkollore 1989/99.
SBASHK-u,nëpërmjet një komunikate ka kërkuar të gjithë nxënësit dhe prindërit për mirëkuptim.
Komunikata e plotë e SBASHK-ut:
Në përpjekje që çështja të zgjidhet me dialog kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj bashkë me këshilltarin për organizim të brendshëm , Ymer Ymeri nuk kanë lënë derë pa hapur duke u takuar me kryetarët e Grupeve Parlamentare të PDK-së, LDK-së, Vetëvendosjes, AAK-së e Nismës dhe me Ministrat Bajrami, Shala e Abrashi me kërkesën që Kryeministri Mustafa dhe anëtarë të Kabinetit të tij Qeveritar të dialogojnë me përfaqësues të SBASHK-ut me qëllim që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për Ligjin që rregullon statutin e njerëzve që me pendë e sakrifica mbrojtën arsimin e kulturën tonë nga sulmet e vazhdueshme të pushtuesit.
Mirëpo, edhe për kundër angazhimit të Ministrave Shala, Abrashi e Bajrami për të ndodhur takimi i nivelit të lartë qeveritar me SBASHK-un e për t’u gjetur zgjidhja, takimi deri sot nuk ndodhi dhe gjasat për grevë janë shtuar shumë dhe kjo do të plotësojë dëshirën e Qeverisë Mustafa, e cila duke i ikur dialogut me SBASHK-un del se e do grevën në arsim dhe kjo dëshirë do t’i plotësohet, sipas të gjitha gjasave, kur më 9 nëntor do të takohet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut për ta vlerësuar situatën dhe për të marrë hapa konkret.
Udhëheqës të SBASHK-ut edhe gjatë këtij vikendi janë në pritje të ftesës për dialog, ftesë e cila nga Qeveria po mungon dhe prandaj në këtë situatë veprimet sindikale do të jenë realitet në arsimin tonë.


















