Qëndrimi i mbrojtësit Sime Vrsaljko komplikohet dhe ky fakt mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në të ardhmen e lojtarit të Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj. Skuadra nga Reggio Emilia dëshiron të zgjasë kontratën e lojtarit kroat por në rast se një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë alternativa e tij është Elseid Hysaj. Juventusi ka hyrë në lojë për të transferuar në Torino mbrojtësin e rritur në radhët e Dinamos së Zagrebit dhe nëse ia del mbanë, atëherë rruga që shkodrani të largohet nga Empoli me destinacion Sassuolon do të jetë e hapur.
Drejtori Sportiv, Giuntoli e ka sinjalizuar skuadrën toskane për një kontakt të mundshëm me lojtarin shqiptar por bisedimet mund të marrin rrugë zyrtare vetëm me largimin e Vrsaljkos. Gjithsesi, në këmbë mbetet edhe pista Bayer Leverkusen që ka shfaqur interes për lojtarin shqiptar, por Empoli synon të arkëtojë sa më shumë nga lojtari që mbetet në udhëkryq për të mësuar të ardhmen e tij pas një sezoni pozitiv.