Marrëveshja bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mundësi e rëndësishme për gjithë Ballkanin Perëndimor që të integrohet në Bashkimin Evropian, sipas emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin
I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, derisa ka folur për marrëveshjen e Ohrit, ka thënë se Kosova e ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por sipas tij ai pret që në ditët apo javët në vijim të dëshmohet kjo.
“Përshtypja ime është se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, një temë mjaft e vështirë për palën kosovare, është gëlltitur tashmë. Si Gjermania, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë gjithmonë të qartë për faktin se presim që Kosova të përmbushë këtë, dhe përshtypja ime është se kjo tani është pranuar edhe në Prishtinë. Mund ta kemi gabim, por kjo është përshtypja ime nga takimet në Prishtinë, ata kanë bërë një hap përpara. Dhe ne presim që ata të tregojnë atë në fushë në ditët apo javët në vijim”, ka thënë Sarrazin.
Sarrazin ka thënë se Marrëveshja bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mundësi e rëndësishme për gjithë Ballkanin Perëndimor që të integrohet në Bashkimin Evropian.
“Shumë njerëz në rajon do të thonë se jam idiot pasi besoj në lëvizje pozitive, por si pjesë e Procesit të Berlinit, ne kemi treguar se është e mundur të arrihen marrëveshjet pozitive nëse mendoni pozitivisht, dhe mendoj se dakordimi në Ohër mund të jetë një pikë kthese për ta kthyer situatën në rajon nga minusi në plus”, ka thënë Sarrazin.
Por, ai ka thënë se shumë nuk i besojnë atij “vullneti politik që u shfaq në Ohër”.
Ai ka pranuar se Gjermania ka tentuar të ndihmojë të arrihet marrëveshje, por edhe ka “ushtruar presion të fortë mbi të dyja palët”.
“Ne po përpiqeshim t’u thoshim atyre ‘dëgjoni, ky është shansi i juaj, mos e humbni këtë shans, mund të mos merrni shumë mundësi të reja’”, ka deklaruar Sarrazin.
“Prandaj, është vendimtare të dëshmohet tash vullneti politik, përmes zbatimit”, ka shtuar Sarrazin.
Emisari gjerman ka komentuar edhe faktin se Lista Serbe po bojkoton zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës.
“Në Gjermani, ne kemi një thënie në politikë kur dikush largohet ‘ai që del nga dhoma duhet të mendojë se si do të mund të hyjë sërish’”, ka thënë Sarrazin për “Kossevin”.
Sarrazin ka nisur javën e punës me një vizitë zyrtare në Kosovë, ku, ndër të tjera, është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai pritet ta vizitojë edhe Beogradin