Pas takimit me kryeministrin e Kosovës në objektin e qeverisë, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laçak ka thënë se bashkë me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e kanë pasur një diskutim të vështirë me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak ka deklaruar se para kryeministrit kosovar është prezantuar një propozim tre-pikësh, si mënyrë për të dalë nga situata e tensionuar në veri.
“E para është shtensionimi, e dyta zgjedhje të shpejta në veri dhe e treta rikthimi në dialogun për normalizim”, ka thënë Lajçak.
“Misioni ynë vetëm sa ka nisur”, ka vazhduar ai.
Lajçak ka thënë se bashkë me Escobar do të jenë në këtë mision edhe për dy ditët e ardhshme. Ai ka treguar se parashihet edhe një takim me presidenten Vjosa Osmani e më pas me krerët serbë.
Sa i përket paralajmërimit të 27 shteteve anëtare të BE-së për sanksionimin e Kosovës, Lajçak ka thënë se ato po presin raportin nga ky mision në Ballkan.
“Mund t’ju them se shtetet anëtare po presin raportin tonë”, ka thënë Lajçak