Sanduloviq: Vuçiq po e rreh sot rininë në Beograd, ashtu siç përndiqte shqiptarët në Kosovë, boshnjakët e kroatët

E publikuar: 20/08/2025 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Opozitari serb dhe kryetari i Partisë Republikane, Nikola Sanduloviq, është shprehur i zhgënjyer me qytetarët e Serbisë, duke i akuzuar për heshtjen e tyre të gjatë ndaj krimeve të kryera në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

Ai u tha serbëve se nuk duhet të habiten për dhunën që regjimi i Aleksandar Vuçiqit po ushtron sot ndaj fëmijëve të tyre, kur vetë kanë heshtur për dekada përballë mizorive ndaj të tjerëve.

““Serbë!!! Çfarë nuk është e qartë?! Po çuditeni pse Vuçiq po ua rreh e arreston fëmijët?!”, shkroi Sanduloviq në një deklaratë të publikuar, duke komentuar me tronditje reagimin e publikut serb ndaj dhunës policore që po ndodh aktualisht në rrugët e qyteteve të Serbisë, shkruan Vijesti.ba.

Ai i kujtoi qytetarëve të tij heshtjen e tyre kur ndodheshin para ngjarjeve të tmerrshme në rajon, ku sipas tij, Aleksandar Vuçiq kishte rol aktiv dhe të drejtpërdrejtë.

Sanduloviq përmendi shkatërrimin e Vukovarit dhe masakrat që pasuan, ku u vranë 1,798 civilë, mes tyre 86 fëmijë, dhe ku Vuçiq, Nikoliq dhe Sheshel marshuan në qytet pas spastrimit etnik.
Po ashtu, ai foli për eksodin e mbi 200.000 serbëve nga Kroacia, pas tentativës për krijimin e një “Serbie të Madhe” me kryeqytet në Knin – ide e mbështetur fuqimisht nga Vuçiq, sipas tij.

Ai kritikoi heshtjen e shumicës serbe ndaj rrethimit 44-mujor të Sarajevës, një nga më të gjatat në historinë moderne, ku u vranë 14.011 persona, ndër ta 1.601 fëmijë, dhe u dëmtuan ose plagosën mbi 56.000 civilë. Sanduloviq deklaroi se Vuçiq vetë ndodhej me armë në duar mbi qytet, duke ngrënë “prerë prasi” me Shesheljin në kodër.

Për gjenocidin e Srebrenicës, ku u masakruan mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë nga mosha 12 deri në 77 vjeç, Sanduloviq akuzon Vuçiqin se në atë kohë nga foltorja e Parlamentit serb bënte thirrje për vrasjen e 100 myslimanëve për çdo serb të vrarë.

“Heshtët kur shqiptarët në Kosovë përndiqeshin, burgoseshin, rriheshin dhe vriteshin për vite me radhë, dhe tani po çuditeni se pse Vuçiq po e bën të njëjtën gjë me fëmijët tuaj në Beograd?!”, pyet ai. “Tani e ndjeni dhembjen që ua keni mohuar të tjerëve”.

Në mesazhin e tij drejtuar shoqërisë serbe, Sanduloviq tha se tani po vjen koha që vetë serbët të ndjejnë peshën e vuajtjeve që ua kanë shkaktuar të tjerëve përmes mbështetjes së një regjimi që solli dhimbje në rajon.

“Çfarë prisnit? Që ai të mos e bënte në Serbi atë që e ka bërë për dekada në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë? Tani që u rreh fëmijët tuaj, po zgjohet ndërgjegjja?!”, shkroi ai.

Sipas tij, “rrethi i ferrit që nisi me Millosheviqin, Shesheljin, Nikoliqin, Vuçiqin dhe Vulinin, tani po mbyllet në Serbi – me drejtësi hyjnore.”

Nikola Sanduloviq është një nga kritikët më të zëshëm të regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Më 3 janar 2024, ai u arrestua nga Agjencia e Sigurisë (BIA) dhe, sipas avokatit të tij, Çedomir Stojkoviq, u rrah brutalisht për katër orë nga një grup prej rreth 15 personash të maskuar.

Arrestimi i tij u bë pas publikimit të një videoje ku shihej duke vendosur lule në memorialin e familjes Jashari në Kosovë. Sipas autoriteteve, ai u akuzua për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare, por avokati i tij deklaroi se i vetmi “krim” ishte nderimi për viktimat shqiptare.