Samsung ka sjellë gjithmonë risi tek telefonat inteligjentë. Kompania ishte e para që krijoi një telefon inteligjent me ekranin Super AMOLED në vitin 2010, si dhe telefonin e parë me ekran të lakuar në të dy anët, Galaxy S6 edge. Tani gjiganti korean do të krijojë telefonin e parë inteligjent me ekran që duket si libër.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja e internetit SamMobile, e cila citon burime të afërta me kompaninë. Sipas SamMobile, Samsung po teston pajisjen në dy konfigurime të ndryshme të harduerit; një me procesorin Snapdragon 620 dhe tjetri me procesorin Snapdragon 820. Pajisja, që thuhet se do të prezantohet në janar të vitit 2016, thuhet se do të ketë 3GB RAM, një kartë microSD dhe një bateri të palëvizshme.