Udhëheqësit botërorë që janë mbledhur në një samit të NATO-s në Varshavë, kanë thënë se aleanca është e vendosur që të përballet me sfidat që paraqet një Rusi agresive, pastaj grupi militant Shteti Islamik, vendimi i Britanisë për të braktisur Bashkimin Evropian dhe kriza me refugjatë në Evropë.
Në në koment të publikuar në gazetën Financial Times, disa orë përpara fillimit të samitit dyditësh në Varshavë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se “ky mund të jetë momenti më i rëndësishëm për aleancën transatlantike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”.
Pjesa më e madhe e fokusit të samitit është Rusia, e cila ka zemëruar Perëndimin me aneksimin e paligjshëm të Krimesë në vitin 2014 dhe më ndërhyrjen e saj në konfliktin ushtarak në lindje të Ukrainës.
“Agresioni i Rusisë në Ukrainë kërcënon vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, ka shkruar Obama.
Ai ka vënë theksin edhe te sulmet e Shtetit Islamik, të cilat, sipas tij, “kanë masakruar njerëz të pafajshëm në vendet e NATO-sm nga Orllando deri në Paris, Bruksel e Stamboll”.
“Besoj se vendet tona duhet të kenë vullnet politik dhe të bëjnë angazhime konkrete për t’u përballur me këto sfida”, ka shkruar Obama në Financial Times.
Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ka rritur shqetësimet në vendet lindore të NATO-s, përfshirë Poloninë dhe shtetet e Baltikut: Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të cilat kanë qenë nën kontrollin e Moskës deri në rënien e komunizmit dhe në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, një çerek shekulli më parë.
Udhëheqësit e Finlandës dhe të Suedisë po marrin pjesë në samitin e NATO-s për herë të parë, gjë që tregon për rritjen e bashkëpunimit në kohën e rritjes së aktiviteteve ushtarake të Rusisë pranë kufijve të tyre.
Duke folur në një forum të eksepertëve, përpara fillimit formal të samitit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleatët do të pajtohen në Varshavë për vendosjen e batalioneve shumëkombëshe në Poloni dhe në shtetet e Baltikut. Batalionet do të përbëhen nga 1,000 trupa dhe do të udhëhiqen nga Kanadaja, Gjermania, Britania dhe Shtetet e Bashkuara.
Ky është forcimi më i madh i mbrojtjes kolektive që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, ka thënë Stoltenberg.
“Kemi qëndrim të përbashkët ndaj Rusisë: Bashkimi Evropian ka ndërmarrë sanksione ekonomike; NATO ka bërë rritjen më të madhe të mbrojtjes kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, ka thënë ai.
Në një intervistë për gazetën Kommersant, ambasadori i Rusisë në NATO, Aleksandr Grushko, ka thënë se aleanca ka “agjendë konfrontuese” dhe se Moska do të ndërmarrë kundërmasa. (REL)