Qeveria greke do të paraqesë në ditët e ardhshme më në fund listën e shumëpritur me propozimet për reforma.
Dhe nëse vullneti i Athinës e bind Eurogrupin, atëherë do të livrohen para të tjera në drejtim të Athinës, me qëllim që Greqia-sërish të shpëtojë nga falimentimi shtetëror.
“Kemi rënë dakord, që të përshpejtojmë tani të gjithë procesin”, tha presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
E përshpejtimi është më se i nevojshëm, sepse Greqia ka para vetëm për disa javë, Por KE-ja do të bëjë edhe një hap më tej: Greqia do të marrë dy miliardë euro nga fondet e papërdorura strukturore.
Sipas Junckerit me këtë nuk do “të mbushen arkat e shtetit, por paratë do të shkojnë në projekte sociale dhe të rimëkëmbjes ekonomike, për shembull kundër papunësisë së lartë të të rinjve.
Më pak varësi nga Rusia
Me mundim u ruajt uniteti evropian edhe kur u debatua për Rusinë. Sanksionet e BE-së për shkak të krizës në Ukrainë mbeten në fuqi, për sa kohë që nuk është zbatuar plotësisht marrëveshja e paqes në Minsk.
Sipas shteteve anëtare të BE-së, zbutja e sanksioneve do të bëhet në rastin më të mirë në fillim të vitit 2016. Rrjedhojë e përplasjeve me Rusinë është edhe qëllimi i BE-së për të krijuar sa më shpejt të jetë e mundur një union energjetik.
Përmes blerjeve të përbashkëta, zgjerimin e ofertës dhe rrjeteve energjetike ndëreuropiane, evropianët po kërkojnë pavarësimin nga Rusia.
Por një treg energjetik mbareuropian është i vlefshëm edhe pa kërcënimin rus: Ky treg premton kursim dhe përdorim më efikas të burimeve të ndryshme energjetike, sipas pozitës gjeografike.
Rryma elektrike e parqeve me erë mund të transportohet nga Deti i Veriut në Evropën jugore, energjia diellore mund të transportohet nga vendet mesdhetare në drejtim të veriut.
Rebecca Harms, kryetare e grupit parlamentar të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian kritikon faktin që BE nuk i jep prioritet të qartë energjive të rigjenerueshme.
“Të gjithë e dimë që e ardhmja i përket kësaj energjie, por askush nuk është gati të hidhet”, kështu e komenton Harms unionin energjetik.
Afrika e Veriut para derës së shtëpisë
Ukraina nuk është konflikti i vetëm para portave të Evropës. Me sulmin terrorist kundër një muzeu në Tunizi, evropianët u kujtuan edhe njëherë se sa të rrezikuar janë nga islamistët.
E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini e cilësoi sulmin në Tunizi si „sulm kundër Evropës“.
Në shenjë solidariteti, presidenti i Këshillit Evropian, Tusk dhe e ngarkuara, Mogherini planifikojnë në fund të muajit të bëjnë një udhëtim solidariteti në Tunizi. Ndërsa kryeministri finlandez Alexander Stubb shtoi:
“Gjendja e sigurisë në Evropë ka ndryshuar, edhe në kufijtë tanë jugorë“. Rreziku i vërtetë vjen nga vendi fqinj i Tunizisë, Libia. Atentatorët kishin ushtruar e bërë stërvitje luftarake në Libi, sipas të dhënave tuneziane.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, lidhur me konfliktin në Libi tha: “Libia është kufiri me Evropën, po qe se nuk zgjidhen problemet në Libi, atëherë edhe Evropa ka probleme”.
Libia është shpërbërë në zona influencë të grupeve të milicëve, Shteti Islamik IS luan rol gjithnjë e më të madh, në vend mungojnë strukturat shtetërore të stabilizuara. Kjo e rrit gjithnjë e më shumë valën e refugjatëve përmes Mesdheut, drejt Evropës.
Që para atentatit në Tunis, ku u vranë disa turistë evropianë, ministrat e Jashtëm të BE-së kishin diskutuar për mundësinë e një misioni sigurie në Libi, po qe se partitë në konflikt bien dakord për ruajtjen e unitetit kombëtar.
Por ujdia për një unitet të tillë është ende larg, prandaj edhe shtetet e BE-së u tremben premtimeve. BE ka pranuar dobësinë e vet strategjike në rastin e Libisë.
Për një kohë shumë të gjatë këshilla të ndryshme ministrore u morën me Libinë dhe çështjen e refugjatëve – problemet e jashtme dhe ato të sigurisë u trajtuan në mënyrë të veçantë.
Në të ardhmen BE-ja kërkon të dallojë më herët potencialet për konflikt dhe të veprojë në mënyrë më të koordinuar. /ZËRI/