Presidentja Vjosa Osmani nesër do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkan Perëndimor në Bruksel.
“Me ftesë të institucioneve të BE-së, Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin BE-Ballkan Perëndimor”, ka thënë këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina.
Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Sipas BE-së, Samiti do të shërbejë si një mundësi për të demonstruar dhe rikonfirmuar forcën e marrëdhënieve strategjike mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe përfitimet që ato u sjellin qytetarëve.
Në përfundim të samitit do të miratohet Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.


















