Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku ka thënë se UÇK gjatë luftës së saj për liri nuk ka kryer vrasje të civilëve serbë.
Ai në RTK ka theksuar se edhe po të dëshironte të bënte masakra dhe ta keqpërdorte uniformën, UÇK nuk e ka bërë asnjëherë një gjë të tillë.
“Nuk ka asnjë rast që UÇK-ja të ketë vrarë një civil serb. Investimi serb ka qenë i madh që t’ia prishë imazhin ushtrisë sonë”, është shprehur Lushtaku.
Ai e ka quajtur gabim formimin e Speciales, teksa ka shtuar se me Gjykatën Speciale shqiptarët do t’i paguajnë edhe vrasjet dhe masakrat që ushtria serbe ka kryer në Kosovë.
“Mendoj që kjo është gjykatë politike dhe nuk e di se çfarë vrasjes do të zbardhë”, ka thënë Lushtaku.