Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Adem Salihaj, thekson se Gjykata Speciale nuk është aspak e mirë për Kosovën, sepse e rrënon në masë të madhe imazhin e saj.
“Me gjykimin e disa krimeve që besoj janë kryer gjatë luftës, UÇK-ja dhe Kosova njollosen, sepse “dëshmohet” me gjyq se janë bërë krime. Në anën tjetër, nëse janë bërë krime, ato do të duhej të gjykoheshin nga gjykatat e Kosovës, kurse imazhi i Kosovës do të ishte pozitiv”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.
Sipas tij, krijimi i kësaj gjykatë është imponuar nga ndërkombëtarët e më shumë si pasojë e raportit të Dick Martyt.
“Por, duke marre parasysh se, nëse nuk e krijojmë ne vetë këtë gjykatë, atëherë atë do ta krijojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe do ti japë kompetenca shumë më të mëdha, e atëherë ne nuk na mbetet zgjidhje, përveç se ta krijojmë vetë, me mundësi që të shpëtojmë më lehtë”, thekson deputeti.
Salihaj thotë se, më e mira do të ishte që këto krime të gjykohen nga gjykatat e Kosovës, por duke marrë parasysh se ne nuk kemi gjyqësi të mirëfilltë që t’i gjykojë këto krime, atëherë përgjegjësitë tona duhet tua japim të tjerëve.
“Sa u përket krimeve të pasluftës, na është thënë shumë herë se ndërkombëtarët. Nuk po pajtohen që edhe ato të gjykohen nga Gjykata Speciale, por vetëm ato që janë përfshirë në raportin e Dick Martyt”, thotë Adem Salihaj.